Programerët dhe punonjësit në aviacion me pagat më të larta në shtet

Pagat e programerëve janë kthyer në krye të listës së profesioneve më të paguara në Maqedoninë e Veriut. Të ardhurat mesatare të programerëve në vend janë 93.852 denarë, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikës, ndërsa paga mesatare bruto më e lartë e paguar në këtë sektor ishte mbi 2.300 euro (142.410 denarë).
Pas programuesve, pasojnë punonjësit e Transportit Ajror me pagë mesatare neto prej mbi 1100 euro dhe Telekomunikacioni me 65.134 denarë.
Punëtorët në industrinë farmaceutike dhe të punësuarit në veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike marrin një pagë neto prej pak më pak se një mijë euro.
ESHS njoftoi se paga mesatare bruto në vend për muajin shkurt është 58.967 denarë, ndërsa neto paga për të njëjtin muaj është 39.276 denarë.
Nga ana tjetër, paga mesatare më e ulët që marrin punëtorët në veprimtaritë mbrojtëse dhe hetimore, arrin në 22.702 denarë.
Shikuar nga sektorët e ndryshëm, paga mesatare më e ulët është në objektet akomoduese dhe shërbimet ushqimore, me 27.617 denarë. Dhe, nën mesataren e përgjithshme mujore janë pagat në ujësjellës; Heqja e ujërave të zeza, administrimi i mbeturinave dhe aktivitetet për rehabilitimin e mjedisit jetësor – 30.953 denarë, pastaj në bujqësi, pylltari dhe peshkim – 31.362 denarë, ku më e ulëta, prej 24.815 denarë, është në peshkim dhe akuakulturë.
Kostoja e jetesës vazhdon të rritet. Shporta minimale sindikale për herë të parë e ka tejkaluar kufirin psikologjik prej 60 mijë denarë me një kërcim prej 1200 denarë në krahasim me muajin mars.



