Profeti Muhamed a.s – Njeri i Paqes
Shkruan: Abdusamed Zeqiri
Të dashur besimtarë, meqë nesër është Dita Ndërkombëtare e Paqes, që shënohet në mbarë botën më 21 shtator, këto çaste të kësaj hutbeje do ia kushtojmë pikërisht temës së paqes, duke e ndërmendur këtë përmes personalitetit të Muhamedit a.s.
Përkufizimi i termit “Paqe” definohet edhe si siguri, stabilitet dhe harmoni. Sipas këtij përkufizimi, “Paqja” është një situatë pozitive që të gjithë njerëzit anembanë botës e dëshirojnë dhe, si rrjedhojë e kësaj, ata bëjnë marrëveshje për të arritur sigurinë, stabilitetin dhe harmoninë. Paqja nënkupton kulturën e dialogut, tolerancës dhe parandalimit.
Paqja është një prej parimeve themelore, rrënjët e së cilës Islami i ka ngulitur në shpirtrat e muslimanëve, duke e bërë kështu një pjesë të qenies dhe besimit të tyre. Që në zanafillën e tij, Islami lëshoi në hapësirat e botës thirrjen për paqe, duke vënë njëkohësisht një plan udhëzues që përcjellë humanizmin e tij. Islami e do jetën, e shenjtëron atë dhe këtë ua bën të qartë njerëzve. Kështu, ai i liron ata prej frikës dhe ua rrëfen rrugën më të përsosur, që njerëzimi të jetojë për synimet e tij të larta e në të njëjtën kohë të jetë i mbuluar nën ombrellën e sigurisë. Vetë emri islam, qëështë emri i kësaj feje, rrjedh nga fjala selam–paqe, sepse paqja dhe Islami bashkohen në sigurimin e qetësisë e të sigurisë.
Sheriati islam e ka lidhur gjithë jetën e muslimanit me paqen, duke i ftuar të gjithë muslimanët për tek ajo. Në ajetin që e lexuam ne fillim Allahu i Madhëruar thotë: “O ju të cilët keni besuar, hyni në fe (fenë e paqes) në tërësi!”(Bekare: 208). Kështu që sipas këtij ajetikuranor, Allahu i Madhëruar i urdhëron muslimanët që të jenë gjithmonë paqësorë, të shuajnë grindjet, dhunën dhe luftën midis tyre. Fjala arabe “silm”, që në shqip përkthehet “paqe”, bashkë me derivatet e saj, është cituar 144 herë në Kuran, kurse fjala arabe “harb”, që në shqip përkthehet “luftë”, bashkë me derivatet e saj, është cituar vetëm 6-të herë. Përkundër kësaj, në ditët e sotme ka akoma njerëz që mendojnë se Islami është feja e dhunës, e shpatës dhe e terrorit.
Besimtarë të dashur, vula e profetëve, Muhamedi (a.s) ka qenë mbartësi i flamurit të “Paqes”, sepse ai është udhëzuesi i njerëzve në rrugë të drejtë. Ai e ka përhapur mëshirën, paqen, sigurinë dhe tolerancën tek të gjithë njerëzit. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (Enbija: 107). Pra, Islami ka ardhur me mesazhin e mëshirës dhe paqes për mbarë njerëzimin. Nga ky ajet dhe shume të tjera ne Kuran e kuptojmë se Islami nuk është përhapur me gjuhën e shpatës, siç mëtojnë (pretendojnë) disa mendje dashakeqëse e djallëzore. Vallë, a shkon dhuna me mëshirën?! A shkon ashpërsia me butësinë?! A shkon zënka me dialogun?! Asnjëherë. Mesazhi që solli Profeti Muhameda.s. është mesazhi i paqes dhe i sigurisë. Ai ka qenë i vërteti, besniku. Njerëzit e njihnin, e njohin dhe do ta njohin deri në fund të kësaj jete si të tillë. Për atë, Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, ti je në majat e larta të moralit”. Profeti Muhamed parapëlqente zgjedhjen e paqes ndaj luftës. Kështu veproi edhe në Hudejbije, në vitin 628 e.s., kur ai pranoi një kompromis të dëmshëm për të vetëm që ta ruajë paqen.
Në tetë vitet midis shpalljes së ajeteve të vetëmbrojtjes dhe vdekjes së tij, Profeti Muhameda.s. e drejtoi vetë ushtrinë e tij në njëzet e tetë raste. Në nëntëmbëdhjetë prej tyre nuk pati luftime apo gjakderdhje, ndërsa në shumicën e të tjerave luftimet dhe viktimat ishin të pakta për shkak të taktikave të përdorura nga Profeti a.s. Kjo është arsyeja që gjatë gjithë kësaj periudhe në këto beteja të humbnin jetën 255 myslimanë dhe 759 jomyslimanë, sigurisht vetëm ushtarët dhe asnjë civil.
Mesazhi që shpalli Profeti Muhamed a.s. sjell qetësi, ngrohtësi dhe paqe në shpirt, sepse përmendet Allahu. Në Kur’an thuhet: “Sigurisht, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat”. Profeti Muhameda.s.ka qenë vetë Kur’ani, sepse i gjithë Kur’ani ishte kristalizuar në vetë qenien e tij. Kur ecte e kur fliste, ai e ndriçonte çdo gjë me dritën e Kur’anit. Ai është drita e pashuar, edukuesi i përkryer dhe udhëheqësi më i drejtë. Prandaj, ai ka qenë, është dhe do të mbetet shembull për të gjithë njerëzit e çdo kohe dhe të çdo vendi, pa dallim kombi, race, gjuhe e ngjyre. Në Kur’an thuhet: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe tek Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”. Prania e Profetit tonë të dashur ka qenë, është dhe do të mbetet themeli më i fortë i unitetit të myslimanëve. Ashtu si s’ka kuptim jeta pa dritë, pa qetësi e pa paqe, po ashtu ajo nuk ka kuptim pa praninë e Profetit Muhameda.s., sepse besimi i myslimanëve te Profeti Muhameda.s. shoqërohet e bashkohet me dashurinë dhe përmallimin për të. Ai është strumbullari i dashurisë dhe i bashkimit të mbarë myslimanëve. Prania e tij i zbut zemrat e myslimanëve e i bashkon ata me njëri tjetrin.
Beismtarë të dashur, në këtë kohë kur paqja është bërë një koncept i humbur i njerëzimit dhe kur dhuna po e kaplon botën, po e përfundoj këtë hutbe duke e cituar një njeri të madh të mendimit perëndimor, shkrimtarin BernadShow, cili – ndonëse jomysliman – duke folur për Muhamedina.s., do të thoshte: “Ai duhet të quhet shpëtimtari i njerëzimit. Unë besoj që, në qoftë se një njeri si ai do të ushtronte pushtetin e botës së sotme, do t’ia arrinte t’i zgjidhte problemet e saj e do t’i sillte paqen dhe lumturinë, aq të nevojshme.”
Zoti ynë, na mbulo me paqe, dashuri dhe mëshirë dhe hiqe nga zemrat tona smirën, urrejtjen dhe hakmarrjen. Amin, ashtu qoftë!