Privohet nga liria një banor nga Gjevgjelia, u aksidentua duke transportuar emigrantë

Një banor i Gjevgjelisë është privuar nga liria nën dyshimin për “kontrabandë emigrantësh”, gjatë ditës së djeshme, në rrugën Bogdancë–Gjevgjeli një automjet që ai drejtonte u aksidentua, ndërsa më pas u zbulua se kishte emigrantë, ka raportuar TV21.
Sipas Policisë, në automjet ndodheshin gjashtë migrantë nga Egjipti. Njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në spitalin “Nënë Tereza” në Shkup, ndërsa pesë të tjerët dhe shoferi kanë marrë lëndime më të lehta. Shoferi fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes, por më pas u gjet dhe u arrestua.
“Më 12.04.2026, zyrtarë policorë nga Sektori për Punë të Brendshme Strumicë e privuan nga liria I.D. (43) nga Gjevgjelia, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “kontrabandë e emigrantëve”. Më 11.04.2026, rreth orës 21:20, në rrugën rajonale Bogdancë – Gjevgjeli, në vendin e quajtur “Ura Laramane”, një automjet pasagjerësh “Volkswagen” me targa bullgare, i drejtuar nga I.D., doli nga rruga. Pas aksidentit, shoferi u largua nga vendi i ngjarjes, por pas masave të ndërmarra nga policia, ai u gjet. Në vendin e aksidentit u gjetën të plagosur gjashtë persona emigrantë nga Egjipti, njëri prej të cilëve me lëndime të rënda trupore, i cili është dërguar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ndërsa pesë emigrantët e tjerë dhe I.D. kanë pësuar lëndime trupore. Është njoftuar prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike e Gjevgjelisë, ndërsa ekspertizën në vendngjarje e ka kryer një ekip i SPB-Gjevgjeli”, thuhet në njoftimin e MPB-së.



