Presidentja sllovene bën thirrje që të mos harrohet katastrofa në Gaza

Në Forumin e 20-të Strategjik të Bledit, të mbajtur nën temën “Evropa në Rendin e Ri Botëror”, presidentja sllovene Natasa Pirc Musar deklaroi se sulmet e Izraelit dhe ngjarjet përjetuara në Gaza nuk duhen harruar, raporton Anadolu.

Forumi, i cili filloi në qytetin e Bledit, ku ndodhet Liqeni Bled, një nga mrekullitë natyrore të vendit, u hap nga presidentja sllovene Natasa Pirc Musar dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane Tanja Fajon.

Në fjalimin e saj, Musar u shpreh se Evropa tashmë nuk është më një superfuqi në politikën botërore apo në fushën ekonomike.

Musar deklaroi se Bashkimi Evropian (BE) po lëviz drejt shpërbërjes në vend të unitetit, duke theksuar se Evropa duhet të mbrojë vlerat e veta.

Duke deklaruar se vendet kanë probleme në respektimin e të drejtave themelore të njeriut, Musar vazhdoi më tej:

“Nuk kam ndërmend të krahasoj vrasjen e miliona njerëzve nën nacionalizëm dhe fashizëm, Holokaustin dhe krime të tjera kundër njerëzimit, me tmerret që dëshmojmë sot në Gaza ose në mbarë botën, por më duhet të them se bota e dënoi gjenocidin në Srebrenicë dhe i nxori autorët para drejtësisë. Atëherë pse vetëm disa dekada më vonë, disa politikanë nuk ngurrojnë të mbyllin sytë përballë politikës gjenocidale të Izraelit kundër palestinezëve në Gaza apo ta mbështesin atë?”.

Presidentja Musar theksoi se ngjarjet e përjetuara në Gaza nën sulmet izraelite, nuk duhet të harrohen. “Si është e mundur që edhe në vendet e BE-së, ka ende politikanë që mbeten indiferentë ndaj problemeve të shumicës së popullit të Gazës që zhvendoset vazhdimisht, dëmtimit ose shkatërrimit të 90 për qind të shtëpive të tyre dhe mungesës së madhe të ushqimit, ujit, karburantit, ilaçeve dhe strehimit? Këto nuk janë pyetje retorike, kjo është një çështje humanitare që na dëmton. Gaza dhe Bregu Perëndimor nuk duhet të zhduken kurrë nga radari i skenës politike”.

Musar deklaroi se shumë shtete kundërshtojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në Ukrainë, por nuk tregojnë të njëjtën ndjeshmëri për ata në Gaza, që sulmohet nga Izraeli.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button