Presidentja pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Perusë

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Republikës së Perusë, me rezidencë në Bukuresht, z. Felix Ricardo Denegri Bosa.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit të letrave kredenciale, presidentja Siljanovska Davkova shprehu bindjen se zhvillimi i ardhshëm i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve do të përfaqësojë një shembull pozitiv dhe një sfidë për pasurimin e vazhdueshëm të këtyre marrëdhënieve me përmbajtje të reja në fusha konkrete.
Duke theksuar se bota sot përballet me sfida të shumta, presidentja deklaroi se bashkëpunimi i ndërsjellë është me rëndësi thelbësore, jo vetëm për prosperitetin e të dy vendeve, por edhe për ndërtimin e një komuniteti ndërkombëtar më të fortë.
“Shtetet tona, pavarësisht largësisë gjeografike, ndajnë vlera dhe aspirata të rëndësishme për paqe, stabilitet dhe zhvillim, të lidhura përmes përkushtimit të ndërsjellë ndaj parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut, si dhe përmes interesit për forcimin e lidhjeve kulturore, ekonomike dhe arsimore,” theksoi presidentja Siljanovska Davkova në fjalimin e saj përshëndetës.
Në fjalën e tij, ambasadori i Perusë theksoi se të dyja shtetet ndajnë vlera të përbashkëta demokratike, promovimin e paqes, përparimin ekonomik dhe të drejtat e njeriut, duke kontribuar jo vetëm për forcimin e shteteve të tyre, por edhe për stabilitetin global.
Ambasadori peruan vlerësoi bashkëpunimin shumëpalësh dhe falënderoi për mbështetjen që Maqedonia i ka dhënë kandidaturave të Perusë në organizatat ndërkombëtare.
Duke përmendur regjimin pa viza ndërmjet dy vendeve, ai shprehu pritshmëri për zhvillimin e turizmit në të ardhmen. Ambasadori gjithashtu vuri në dukje rolin e komunitetit të vogël peruan në vend për forcimin e lidhjeve të ndërsjella dhe afrimin e popujve.
Në ceremoninë solemne, presidentja i uroi ambasadorit një mision të suksesshëm dhe shprehu bindjen se me përvojën e tij diplomatike do të kontribuojë në thellimin e miqësisë së ndërsjellë.