Presidentja Osmani procedon në Kuvend amendamentet për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka proceduar në Kuvendin e Kosovës amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, transmeton Anadolu.
Osmani nëpërmjet një njoftimi publik e ka cilësuar këtë hap si përgjigje ndaj, siç tha, dështimeve të njëpasnjëshme në zgjedhjen e kreut të shtetit nga deputetët.
“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli”, shkroi Osmani.
Ky hap i Osmanit vjen kur kanë mbetur vetëm edhe pak orë të afatit kushtetues për votimin e presidentit të ri të Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka mbështetur kërkesën e presidentes Osmani, që presidenti i Kosovës të zgjidhet përmes votës së popullit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Haxhiu tha se i ka pranuar amendamentet kushtetuese nga Osmani, të cilat parashohin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli.
“Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, shkroi Haxhiu.
Thirrja e Osmanit vjen pasi partitë politike nuk arritën marrëveshje për një president konsensual dhe Osmani nuk gjeti mbështetjen e tyre për një mandat të dytë.



