Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti reagojnë ndaj “kërkesave” të presidentit serb
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë reaguar ndaj kërkesave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shpalosura më 14 shtator ndaj Kosovës, transmeton Anadolu.
Presidentja Osmani ka bërë thirrje që kërkesat e presidentit Vuçiq të mos merren seriozisht, pasi sipas saj ai nuk e do me të vërtetë rikthimin e serbëve në institucionet kosovare, por vetëm dëshiron “vëmendjen e botës demokratike”.
“Kur Vuçiqi flet për rithikimin e tyre, ai i prezanton ato vetëm si fjalë e retorikë për ta hequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjan në të vërtetë, që janë përpjekjet e tij, qeverisë së tij, ushtrisë së tij, në trajnimin e vazhdueshëm të forcave paramilitare, të cilat kanë qëllim vetëm dhunën”, tha Osmani.
Presidentja Osmani tha se nuk beson që kërkesat e Vuçiqit janë kërkesa të sinqerta, si dhe shtoi se institucionet e Kosovës “duhet të punojnë që të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht etnisë, të jenë të barabartë”.
Ndërkaq, kryeministri Kurti, duke iu përgjigjur sot pyetjeve të gazetarëve, tha se kërkesat e presidentit të Serbisë për Kosovën janë “pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja”.
Kurti theksoi se kushtet apo kërkesat që ka parashtruar vetë ai dhe jo presidenti serb janë “racionale dhe paqësore”, respektivisht dorëzimi në autoritetet kosovare i Milan Radojiçiqit, nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike dhe gjithashtu tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Brnabiq, e cila tha që nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës, janë racionale dhe paqësore.
“Ndërkaq, ato kërkesat e tij (Vuçiqit), masat e tij, bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin jo-racionalitet e nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
Më 14 shtator, Vuçiq bëri thirrje për ri-integrimin e serbëve në veri në institucionet e Kosovës, duke kërkuar, ndër të tjera, shpallje të zgjedhjeve të reja lokale në veri, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në sistemin gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut. Ai gjithashtu njoftoi se ka nënshkruar marrëveshje për rikthimin e shërbimit të rregullt ushtarak për 75 ditë.
Në nëntor të vitit 2022, qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë. Deri tek kjo erdhi si reagim i pjesëtarëve të komuniteti serb me vendimin e qeverisë kosovare për të konvertuar në “RKS” targat e automjeteve ilegale që qarkullonin në veri.
Nga ajo kohë, kryetarët e komunave me shumicë serbe në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me kryetarë shqiptarë pasi serbët lokalë bojkotuan pjesëmarrjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në këto komuna.