Presidenti turk shënon 3-vjetorin e tërmeteve të vitit 2023: Premtimet për rindërtim u mbajtën

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të premten përkujtoi viktimat që humbën jetën në tërmetet e 6 shkurtit 2023 në jug të vendit, me rastin e përvjetorit të tretë të katastrofës, duke deklaruar se qeveria ka mbajtur premtimin për rindërtimin e qyteteve të shkatërruara brenda një kohe të shkurtër.
Erdoğan përkujtoi viktimat e dy tërmeteve që goditën 11 provinca tre vite më parë, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të shtetit për të ruajtur kujtimin e tyre dhe për të ringritur rajonet e prekura.
“Nuk do t’i harrojmë vëllezërit dhe motrat tona që u kthyen në mëshirën e Mëshirëplotit për shkak të dy tërmeteve të mëdha që përjetuam sot tre vite më parë”, shkroi Erdoğan në platformën turke të rrjeteve sociale NSosyal.
“I premtuam kombit tonë se do t’i mbajmë gjithmonë gjallë kujtimet e tyre në zemrat dhe mendjet tona, se do të mbrojmë amanetin që na lanë dhe do t’i ringremë qytetet tona të shkatërruara nga tërmeti. Sot, me lejen e Allahut, e kemi kapërcyer këtë sfidë dhe kemi rindërtuar e ringjallur qytetet tona brenda një kohe sa më të shkurtër prej tre vitesh. Ne e mbajtëm fjalën”, tha ai.
Postimi i Erdoğanit përfshinte gjithashtu një video që tregonte shkallën e shkatërrimit të shkaktuar nga tërmetet dhe përpjekjet e mëvonshme për rindërtim në të gjithë rajonin.
Tërmetet e 6 shkurtit 2023, me epiqendër në provincën jugore të Kahramanmaraşit, shkaktuan shkatërrime të mëdha në disa provinca të jugut të Turqisë, duke lënë dhjetëra mijëra të vdekur dhe dëme të mëdha në infrastrukturë dhe banesa.
Presidenti pritet gjithashtu të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore për viktimat e tërmeteve më vonë gjatë së premtes.



