Presidenti sirian: Incidentet e sigurisë në rajonin bregdetar të Sirisë janë “nën kontroll”

Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa tha sot se incidentet e fundit të sigurisë në rajonin bregdetar të vendit janë “nën kontroll”, duke i cilësuar ato si “sfida të pritshme”, transmeton Anadolu.
“Kriza ka kaluar në mënyrë të sigurt”, tha Sharaa pasi mori pjesë në namazin e sabahut në një xhami në lagjen Al-Mezzeh të Damaskut, siç tregohet nga një video e shpërndarë në mediat sociale.
“Ajo që po ndodh në vend janë sfida të pritshme. Ne duhet të ruajmë unitetin kombëtar dhe paqen civile mes sirianëve”, theksoi ai.
“Ne jemi të aftë të jetojmë së bashku në këtë vend sa më shumë që të jetë e mundur”, shtoi ai.
Ditët e fundit, provincat bregdetare të Latakias dhe Tartusit kanë qenë skenë e tensioneve të shtuara të sigurisë mes sulmeve të koordinuara nga besnikët e ish-regjimit të Bashar Asadit. Këto sulme – të përshkruara si më të rëndat që nga rënia e regjimit në dhjetor – shjënjestruan patrullat e sigurisë, pikat e kontrollit dhe spitalet, duke rezultuar në të vdekur dhe të plagosur.
Si kundërpërgjigje, forcat e sigurisë dhe ato ushtarake nisën operacione gjithëpërfshirëse për të gjurmuar sulmuesit. Operacionet kanë çuar në përleshje të ashpra, ndërsa zyrtarët e qeverisë pohojnë se situata po shkon drejt stabilitetit të plotë.
Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.
Sharaa, i cili udhëhoqi forcat kundër regjimit për të rrëzuar Asadin, u shpall president për një periudhë kalimtare më 29 janar.