Presidenti ndan çmimet për “Rininë e suksesshme”

Presidenti Stevo Pendarovski ndau çmimin “Rinia e suksesshme” për vitin 2022 që jepet si nxitje e mendimit dhe kërkimor shkencor dhe punës artistike të të rinjve në Maqedoninë e Veriut.
Shkencëtarja më e mirë e re u shpall Dr. Millka Ivanovska Haxhievska, e cila ligjëron në Universitetin e Lundit në Suedi, ndërsa Dr. Boban Karapejovski u zgjodh shkencëtari më i mirë në shkencat humane. Punimet e tij i referohen temave të morfologjisë dhe stilistikës maqedonase, me të cilat kandidati dha një kontribut të rëndësishëm në studimin e gjuhës maqedonase dhe në zhvillimin e maqedonishtes.
Në kategorinë artisti i ri më i mirë janë përzgjedhur Darja Rizova dhe Qëndrim Rijani, të cilët me arritjet e tyre krijuese gjatë vitit 2022 dhanë një kontribut të rëndësishëm në afirmimin e krijimtarisë teatrore të Maqedonisë së Veriut, si në vend ashtu edhe jashtë saj.
Gordana Kaplan, doktoreshë e shkencave në fushën e inxhinierisë së ndërtimit dhe gjeodezisë dhe profesoreshë e asociuar në Institutin “Toka dhe Hapësira” në Universitetin Teknik të Eskişehirit në Turqi, u zgjodh shkencëtarja e re më e mirë në shkenca natyrore, matematikore dhe teknike. Dr. Filip Koneski, specialist i kirurgjisë orale dhe specialist i kirurgjisë maksilofaciale, u zgjodh shkencëtari i ri më i mirë në shkencat mjekësore.
Në kategorinë “Talenti i ri” fitues i çmimit është Mario Vançoski, nxënës i SH.M. “Sllavço Stojmenski” – Shtip, fitues i disa çmimeve në garat e matematikës, fizikës dhe kimisë.
Kristijan Llazarev, i cili ka rezultate mbresëlënëse në fushën e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në shumë fusha, por më së shumti në zhvillimin dhe përshtatjen e teknologjive ndihmëse, të cilat nga ana e tyre do të përmirësojnë cilësinë e jetës së personave të prekur dhe aksesin e tyre në informacion, arsimim, punësim dhe aktivitete sociale.
Presidenti Pendarovski në fjalimin e tij në këtë ceremoni theksoi se përfituesit e çmimit janë shembull pozitiv për bashkëmoshatarët e tyre, por edhe për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme.
Presidenti Pendarovski tha se duhet t’i inkurajojmë talentet e rinj, shkencëtarët dhe artistët, që të vazhdojnë të zhvillojnë potencialin e tyre, në mënyrë që të shtojmë motivimin e tyre për arritje të reja.
“Ata duhet të jenë dhe të mbeten modeli ynë sipas të cilit gjeneratat e reja do të sillen dhe do të krijojnë vlera. Shembulli i tyre i përkushtimit dhe investimit të kohës dhe mundit të tyre në vetvete, si e vetmja rrugë drejt suksesit, duhet të jetë shembull edhe për qytetarët tanë të moshuar. E thashë dhe e përsëris, është e nevojshme të mbështeten të rinjtë dhe të vlerësohen dhe shpërblehen arritjet e tyre. Në këtë kontekst, besoj se mirënjohja “Rinia e suksesshme” jep kontributin e vet dhe e përmbush misionin dhe qëllimin e saj”, tha presidenti Pendarovski.
Çmimi “Rinia e suksesshme” ndahet për herë të katërt për rezultatet e arritura në vitin kalendarik të kaluar në fushën e shkencave sociale, natyrore-matematikore dhe teknike, humaniste dhe mjekësore, dhe ju ndahet të rinjve me arritje të rëndësishme në praktikat artistike dhe kulturore, si dhe në kategoritë e novatorë të rinj, talentë dhe të rinj të suksesshëm me aftësi të kufizuara.



