Presidenti kolumbian Gustavo Petro thotë se “i shpëtoi vrasjes” në një komplot atentati

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka deklaruar se i ka shpëtuar një atentati ndaj jetës së tij teksa udhëtonte me helikopter së bashku me vajzat e tij, pas paralajmërimeve prej muajsh për një komplot të dyshuar nga trafikantë droge që synojnë ta eliminojnë.

Petro tha të martën se helikopteri i tij nuk arriti të ulej në një destinacion në bregdetin Karaib të Kolumbisë një ditë më parë, për shkak të frikës se persona të paidentifikuar “do të qëllonin”.

“Mbrëmë nuk munda të ulesha sepse më informuan se do të qëllohej ndaj helikopterit me të cilin udhëtoja me vajzat e mia”, deklaroi Petro në një raport të transmetuesit publik Radio Nacional de Colombia.

“Ata nuk i ndezën as dritat aty ku duhej të ulesha”, shtoi ai.

Duke folur në një mbledhje të Këshillit të Ministrave në departamentin Kordoba, rajon në veri të vendit i goditur nga reshje të mëdha dhe përmbytje që kanë shkaktuar emergjencë humanitare, Petro tha se u detyrua të ndryshojë në mënyrë drastike planet e udhëtimit për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë së tij.

“Po përpiqem t’i shpëtoj vrasjes. Prandaj nuk arrita në kohë mbrëmë, sepse nuk munda të ulesha aty ku kisha planifikuar. Edhe këtë mëngjes nuk munda të ulesha në vendin e parashikuar, sepse kishte informacione se do të qëllohej ndaj helikopterit”, tha ai.

Petro shtoi se helikopteri u drejtua për disa orë në det të hapur, derisa avioni i tij, me mbështetjen e marinës kolumbiane, arriti në një pikë tjetër uljeje dhe u bënë ndryshime në planet e sigurisë dhe itinerarin e udhëtimit.

Sipas Radio Nacional de Colombia, kreu i shtetit theksoi se këto ngjarje e mbajnë në gjendje alarmi të përhershëm dhe i lidhi me veprime të tjera që, sipas tij, po ndodhin që nga tetori i vitit të kaluar.

Petro kishte raportuar më parë edhe një tjetër tentativë të dyshuar për atentat në vitin 2024 dhe ka deklaruar se një kartel i trafikut të drogës e ka pasur në shënjestër që prej marrjes së detyrës në gusht 2022.

Komploti i raportuar për atentat vjen mes një rritjeje të dhunës në vend, disa muaj para zgjedhjeve presidenciale, në të cilat Petro nuk mund të kandidojë për një mandat të dytë sipas kushtetutës, si dhe pas rrëmbimit të një senatoreje të martën.

Senatorja Aida Quilcue, aktiviste indigjene dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut, u rrëmbye rreth mesditës nga persona të panjohur në departamentin Cauca në jugperëndim të vendit. Ajo u mor peng ndërsa udhëtonte me një SUV së bashku me dy roje sigurie, sipas vajzës së saj.

Anëtarët e një njësie roje indigjene gjetën më vonë automjetin, “por pa askënd brenda”, tha ministri i Mbrojtjes Kombëtare Pedro Sanchez në rrjetin X.

Petro paralajmëroi rrëmbyesit të lironin Quilcue ose të rrezikonin të kalonin një “vijë të kuqe”. Pak më vonë, ministri i mbrojtjes njoftoi se senatorja dhe truprojat e saj ishin liruar dhe ishin të sigurt.

Javën e kaluar, persona të armatosur vranë dy truproje të një senatori në një sulm ndaj autokolonës së tij në rajonin Arauca pranë Venezuelës, ndërsa një grup vëzhgues kolumbian paralajmëroi se më shumë se 300 komuna – rreth një e treta e territorit kombëtar – janë në rrezik nga dhuna elektorale përpara zgjedhjeve legjislative dhe presidenciale. /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button