Presidenti iranian zotohet se do t’u përgjigjet sulmeve që vijnë nga çdo vend, fqinjët e Iranit i quan “vëllezër”

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, është zotuar se do t’u përgjigjet sulmeve SHBA-Izrael që nisen nga çdo vend, duke theksuar se Irani i konsideron fqinjët e tij si “vëllezër”, transmeton Anadolu.
Në deklarata të transmetuara nga televizioni shtetëror Press TV gjatë një vizite në një qendër shëndetësore, Pezeshkian tha se komentet e tij të së shtunës, në të cilat ai kërkoi falje për sulmet ndaj vendeve fqinje, “janë keqinterpretuar”.
“Ne qëndrojmë fuqishëm kundër dhe u përgjigjemi fuqishëm atyre që sulmojnë vendin tonë. Sigurisht, forcat tona të armatosura dhe forcat vullnetare Basij, të cilat janë të pranishme në të gjithë vendin, do ta mbrojnë vendin me të gjithë fuqinë e tyre”, tha Pezeshkian.
“Irani nuk do të përkulet para bullizmit, shtypjes dhe agresionit”, shtoi ai.
Presidenti iranian bëri thirrje që Irani dhe vendet fqinje “t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre brenda rajonit”, duke sfiduar përpjekjet e armiqve për t’i tërhequr në luftë dhe për të përhapur përçarje mes tyre.
Më shumë se 1.200 persona, përfshirë liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë, janë vrarë në sulmet SHBA-Izrael kundër Iranit që nga 28 shkurti.
Teherani u kundërpërgjigj duke nisur sulme me dronë dhe raketa, që kanë shënjestruar Izraelin dhe vendet e Gjirit ku ndodhen asetet ushtarake amerikane.



