Presidenti Erdogan thekson unitetin në mesazhin për Fitër Bajramin mes tensioneve rajonale

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, të premten shënoi Fitër Bajramin me një mesazh uniteti dhe solidariteti, duke shprehur gjithashtu shqetësim për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Pas lutjeve në Xhaminë qendrore në qytezën Guneysu të provincës veriore Rize të Turqisë, Erdogan tha se fundi i Ramazanit dhe ardhja e Bajramit duhet të shërbejë si një moment ripërtëritjeje për botën myslimane.
“E kemi lënë pas muajin e shenjtë të Ramazanit dhe sot kemi arritur Fitër Bajramin. Zoti e bëftë Fitër Bajramin një mjet shpëtimi dhe ringjalljeje për të gjithë botën islame”, tha Erdogan.
Presidenti Erdogan shprehu shpresën se festa do të forcojë unitetin dhe vëllazërinë brenda Turqisë.
Ai përmendi gjithashtu zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke e përshkruar atë si “aktualisht në vlim”.
Duke iu referuar Izraelit, Erdogan tha: “Ky Izrael sionist ka vrarë qindra e mijëra njerëz”. “Nuk kam dyshim se do ta paguajë çmimin”, shtoi ai.
Erdogan përfundoi fjalimin e tij me një mesazh vullneti të mirë. “Zoti qoftë ndihmësi dhe mbështetësi ynë”, tha ai.
“Shpresoj që Fitër Bajrami t’i sjellë të mira vendit dhe kombit tonë”, theksoi ndër të tjera presidenti turk.
