Presidenti egjiptian i bën thirrje Trumpit për ndalimin e sulmeve izraelite në Gaza dhe dërgimin e ndihmave

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, i bëri thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të ndalojë sulmet izraelite në Gaza dhe të dërgohen ndihma humanitare në rajon, transmeton Anadolu.

Duke folur për televizionin shtetëror egjiptian, Sisi theksoi rëndësinë e ndalimit të sulmeve në Gaza.

“Po i bëj një thirrje të veçantë presidentit Trump sepse personalisht besoj se ai është i vetmi që mund ta ndalojë luftën. I kërkoj Trumpit të bëjë çdo lloj përpjekje për të ndaluar luftën në Gaza dhe për të dërguar ndihmë humanitare në rajon”, tha Sisi.

Sisi deklaroi se ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke theksuar se: “Kushtet në Rripin e Gazës janë tragjike dhe të padurueshme. Në Gaza duhet të dërgohet sasia më e madhe e mundshme e ushqimit dhe ndihmës mjekësore dhe duhet të bëhet gjithçka e mundur për t’i dhënë fund vuajtjeve të palestinezëve”.

Sisi theksoi rolin e vendit të tij në dhënien e ndihmës në Gaza dhe vuri në dukje se Egjipti është i gatshëm për gjetjen e një zgjidhjeje për të ndaluar sulmet e Izraelit në Gaza.

– Gaza po “vdes nga uria”

Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe nën një rrethim të rreptë që kufizon ndihmën humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike.

Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në Rripin e Gazës. Deri më sot, 147 palestinezë, përfshirë 88 fëmijë, kanë vdekur nga uria në Gaza.

Qarqet lokale dhe ndërkombëtare theksojnë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.

Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke bombarduar edhe infrastrukturën civile, shpeshherë shënjestron palestinezët që ka zhvendosur me urdhra të dëbimi në zonat ku ata strehohen.

Numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e dëbimit të Izraelit në Gazën e cila ka një popullsi prej afërsisht 2,3 milionë banorësh, raportohet të ketë arritur në 2 milionë dhe se shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.

Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët luftojnë për të mbijetuar në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku mungojnë furnizimet higjienike ndërsa lavamanët janë të pamjaftueshëm dhe sëmundjet infektive po përhapen.

Ndërkohë, ushtria izraelite kryen sulme të përditshme duke shënjestruar tendat dhe strehimoret civile të të zhvendosurve. Që nga 7 tetori 2023, të paktën 59.821 palestinezë janë vrarë dhe 144.851 janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës.

Në anën tjetër, pas presionit ndërkombëtar Izraeli njoftoi se ka vendosur që të ndërmarrë një “pauzë humanitare” në sulmet e tij në Gaza.

Në një deklaratë të bërë nga ushtria izraelite u pretendua se “pauza humanitare” do të zbatohej çdo ditë deri në njoftim të mëtejshëm në zonat ku nuk ka trupa tokësore izraelite, në Al-Mawassi në jug të Rripit të Gazës, në Deir al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës dhe në qytetin e Gazës.

Gjithashtu u pretendua se ndihma e siguruar nga organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë miell, sheqer dhe mallrat e konservuara, do të hidhen nga ajri në Gaza nga avionët izraelitë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button