Presidentët që ‘Pranvera Arabe’ i rrëzoi, ku janë sot?

Kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet që kur Mohamed Bouazizi, një shitës ambulant 26-vjeçar nga Tunizia, të cilit policia ia konfiskoi karrocën, i vuri flakën vetes në shenjë proteste kundër ngacmimeve policore dhe neglizhencës së autoriteteve.
Akti i tij i dëshpëruar ndezi protesta mbarëkombëtare nga miliona qytetarë që përballeshin me një realitet të rëndë: papunësi në rritje, korrupsion të thellë dhe një sistem politik dekadash pa hapësirë për shprehje apo ndryshim.
Brenda 28 ditësh, demonstruesit rrëzuan presidentin Zine El Abidine Ben Ali, i cili kishte qenë në pushtet për 23 vjet.
Të frymëzuar nga kryengritja në Tunizi, miliona njerëz në Egjipt, Libi, Jemen dhe Siri dolën në rrugë në vitin 2011.
Ky mobilizim, i njohur si Pranvera Arabe, çoi në rrëzimin e pesë udhëheqësve afatgjatë. Më poshtë, një vështrim mbi fatin e tyre.
Tunizia – Zine El Abidine Ben Ali
1936–2019
Në pushtet: 1987–2011 (23 vjet)
Statusi: Vdiq në mërgim
Zine El Abidine Ben Ali erdhi në pushtet në vitin 1987 kur, si kryeministër, shpalli presidentin e përjetshëm Habib Bourguiba të paaftë nga ana mjekësore për të qeverisur.
Si ish-shef i sigurisë, ai ndërtoi një regjim represiv të mbështetur në shërbimet e sigurisë dhe një parti qeverisëse besnike. Edhe pse hapi ekonominë dhe solli rritje ekonomike, vendi u zhyt në korrupsion, pabarazi dhe censurë mediatike.
Pakënaqësitë – përfshirë dhunën policore, papunësinë e të rinjve dhe korrupsionin e rrënjosur – shpërthyen pas vetëdjegies së Bouazizit më 17 dhjetor 2010.
Pas gati një muaji protestash të pandërprera, më 14 janar 2011, Ben Ali shpërndau qeverinë, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe u arratis në Arabinë Saudite. Më vonë u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm. Ai vdiq në mërgim më 19 shtator 2019, në Xheda, në moshën 83-vjeçare.
Egjipti – Hosni Mubarak
1928–2020
Në pushtet: 1981–2011 (30 vjet)
Statusi: Vdiq në Egjipt (pas lirimit)
Hosni Mubarak u bë president i Egjiptit në vitin 1981, pas vrasjes së Anwar Sadat.
Ish-komandanti i forcave ajrore konsolidoi pushtetin përmes dominimit ushtarak dhe ligjeve të jashtëzakonshme, duke sunduar me dorë të fortë, me shtypje të opozitës, liri politike të kufizuara dhe korrupsion të përhapur.
Më 25 janar 2011, protesta masive shpërthyen në të gjithë vendin, të nxitura nga papunësia, varfëria dhe represioni politik. Pas 18 ditësh protestash, më 11 shkurt 2011, Mubarak u detyrua të japë dorëheqjen.
Ai u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm për bashkëpërgjegjësi në vrasjen e protestuesve paqësorë, por dënimi u rrëzua nga gjykata e lartë. Pas disa vitesh ndalimi për korrupsion, u lirua në vitin 2017. Mubarak vdiq në Kajro më 25 shkurt 2020, në moshën 91-vjeçare.
Jemeni – Ali Abdullah Saleh
1947–2017
Në pushtet: 1978–2012 (33 vjet)
Statusi: U vra nga Huthit
Ali Abdullah Saleh sundoi Jemenin për 33 vjet, fillimisht Jemenin e Veriut dhe më pas Jemenin e bashkuar. I njohur për manovrat e tij fisnore dhe ushtarake, ai e përshkruante qeverisjen si “vallëzim mbi kokat e gjarpërinjve”.
Pas protestave të Pranverës Arabe, u detyrua të largohej nga pushteti në vitin 2012. Më pas u aleancua me ish-armiqtë e tij, Huthit, duke i ndihmuar të merrnin kryeqytetin Sana në vitin 2014.
Aleanca u prish në vitin 2017, kur Saleh kërkoi marrëveshje me koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite. Ai u vra nga forcat Huthi në moshën 75-vjeçare.
Libia – Muammar Gaddafi
1942–2011
Në pushtet: 1969–2011 (42 vjet)
Statusi: U vra nga rebelët
Muammar Gaddafi erdhi në pushtet pas një grushti shteti në vitin 1969, duke rrëzuar monarkinë libiane. Ai ndërtoi një regjim shumë të personalizuar, të mbështetur në komitete revolucionare dhe kontroll përmes pasurisë së madhe të naftës.
Protestat shpërthyen më 15 shkurt 2011 në Bengazi, pas arrestimit të një avokati për të drejtat e njeriut. Reagimi i dhunshëm i regjimit e shndërroi kryengritjen paqësore në luftë civile.
Në gusht 2011, forcat rebele morën Tripolin, me ndihmën vendimtare të fushatës ajrore të NATO-s. Gaddafi u kap dhe u vra më 20 tetor 2011 në Sirte, duke i dhënë fund 42 viteve në pushtet.
Siria – Bashar al-Assad
1965–sot
Në pushtet: 2000–2024 (24 vjet)
Statusi: I rrëzuar, në mërgim
Bashar al-Assad mori pushtetin në vitin 2000, pas vdekjes së babait të tij, Hafez al-Assad, i cili kishte sunduar Sirinë për 29 vjet.
Revolucioni sirian nisi kur disa adoleshentë shkruan grafite kundër regjimit në qytetin Daraa. Reagimi brutal i forcave qeveritare çoi në një luftë civile që zgjati gati 14 vjet dhe përfshiu fuqi globale si Rusia, Irani, Turqia dhe SHBA-ja.
Lufta zhvendosi mbi gjysmën e popullsisë dhe krijoi një krizë të thellë refugjatësh. Më 8 dhjetor 2024, pas një ofensive të shpejtë të udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Sham dhe fraksione të tjera rebele, regjimi u rrëzua.
Ndërsa rebelët hynë në Damask, Bashar al-Assad dhe familja e tij u larguan drejt Moskës, ku u është dhënë azil dhe aktualisht jetojnë në mërgim. /Al Jazeera/



