Postimi i Trampit: Siç e ndala luftën Kosovë – Serbi, njëjtë do ta ndali edhe luftën Iran – Izrael

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një deklaratë të bujshme në platformën e tij “Truth Social”, duke komentuar zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Iranit. Ai shprehu bindjen se paqja mes dy vendeve është e mundur – dhe e afërt – duke marrë si shembull ndërhyrjet e tij të mëparshme në konflikte globale.
“Irani dhe Izraeli duhet të bëjnë një marrëveshje, dhe do ta bëjnë një marrëveshje – ashtu siç i bëra unë Indinë dhe Pakistanin të arrinin një marrëveshje”, shkruan Trump, duke theksuar se në atë rast përdori tregtinë me SHBA për të sjellë “arsye, kohezion dhe arsyeshmëri” në tryezën e bisedimeve.
Trump pretendon se ndërhyrja e tij ka ndalur konflikte të përgjakshme në disa rajone:
“Serbia dhe Kosova ishin gati për luftë… Unë e ndalova atë”, shprehet ai, duke kritikuar pasardhësin e tij Joe Biden për “vendime të këqija” që, sipas tij, kanë dëmtuar paqen afatgjatë.
Ai përmendi gjithashtu edhe krizën mes Egjiptit dhe Etiopisë për digën mbi lumin Nil, duke theksuar se paqja aktuale është rezultat i ndërhyrjes së tij si president.
Në fund të mesazhit të tij, Trump u shpreh me vetëbesim për rolin që do të ketë sërish në Lindjen e Mesme:
“Do të kemi PAQE, së shpejti, midis Izraelit dhe Iranit! Shumë telefonata dhe takime po zhvillohen tani. Unë bëj shumë, dhe nuk marr kurrë merita për asgjë, por nuk ka problem, POPULLI e kupton”, përfundoi ai, duke shtuar me sloganin e tij të ri:
“TA BËJMË LINDJEN E MESME TË MADHE SËRISH!”