Portieri shqiptar firmos kontratën 3-vjeçare me Juventusin

Hap i rëndësishëm në karrierë! Portieri shqiptar Rafaele Huli ka nënshkruar kontratën e parë profesionale me Juventusin, deri më 30 qershor të vitit 2028.
I lindur në korrik 2008, Huli ka veshur ngjyrat bardhezi që nga viti 2017 dhe ishte një nga protagonistët e sezonit të shkëlqyer të ekipit U-17, i cili përfundoi me gjysmëfinalen e ligës. Gardiani shqiptar luajti gjithashtu në Kampionatin Evropian U-17 këtë verë, duke mbrojtur portën për kuqezinjtë.
Huli deri në 2023 ka qenë pjesë e moshave të Italisë, por ftesa nga Shqipëria bëri që ai të pranonte të përfaqësonte ngjyrat e vendit të origjinës, paçka se ka lindur në Asti të Italisë më 30 korrik 2008. Me fanellën e Kombëtares U17 të Shqipërisë, Huli është aktivizuar në 10 ndeshje.