Polonia do t’u japë zyrtarëve izraelitë akses ‘të lirë’ në ceremoninë e Aushvicit
Qeveria e Polonisë tha të enjten se do t’u japë akses të lirë zyrtarëve izraelitë që duan të marrin pjesë në 80-vjetorin e çlirimit të Aushvic-Birkenau, pavarësisht një urdhër-arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arresti në nëntor për luftën në Gaza, duke shkaktuar zemërim të Izraelit dhe aleatëve të tij.
Polonisë, si një palë në GJNP, do t’i kërkohet të arrestojë Netanyahun nëse ai merr pjesë në ceremoninë e këtij muaji që shënon 80 vjetorin që kur Ushtria e Kuqe çliroi kampin nazist gjerman të Auschwitz-Birkenau.
Por në një rezolutë të publikuar të enjten, qeveria e Polonisë tha se do të “siguronte akses të lirë dhe të sigurt dhe pjesëmarrje në këto përkujtime për përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Izraelit”.
Kryeministri polak Donald Tusk, i cili nënshkroi dokumentin, tha se kishte informacion nga ambasada izraelite se vendi (Izraeli) do të përfaqësohej nga ministri i Arsimit.
“Pavarësisht nëse do të jetë kryeministri, presidenti apo ministri i Arsimit… kushdo që vjen në Oswiecim, në ceremoninë në Aushvic, do të garantohet siguria dhe nuk do të ndalohet”, u tha Tusk gazetarëve.
Më herët të enjten, ndihmësi i presidentit polak Andrzej Duda tha se lideri i kishte kërkuar qeverisë në një letër që të mos arrestonte Netanyahun nëse ai vendos të merrë pjesë në ceremoni.