Polonia do të mbajë në fuqi kontrollet kufitare me Gjermaninë për shkak të shqetësimeve për migracionin

Polonia ka deklaruar se do të vazhdojë kontrollet kufitare me Gjermaninë për sa kohë që Berlini mban kontrollet e veta, si dhe ka theksuar nevojën për “simetri” në zbatimin e politikës së migracionit, transmeton Anadolu.
Siç raportojnë mediat lokale, kryeministri polak, Donald Tusk, tha se qeveria polake nuk do të lejojë që emigrantët pa autorizim të hyjnë në vend dhe theksoi se vetëm individët me leje të ligjshme do të lejohen të kalojnë kufirin.
“Polonia do të lejojë të hyjnë në vend vetëm ata që kanë të drejtë qëndrimi dhe janë të miratuar nga qeveria. Epoka e hapjes së plotë ka përfunduar, jo për fajin tonë”, tha ai.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve në rritje për migracionin, Tusk theksoi se politika e Polonisë është në përputhje me një trend më të gjerë evropian të forcimit të kufijve, duke shtuar se edhe Gjermania përballet me sfida të ngjashme.
“Ne do të vazhdojmë të ndjekim politika të ashpra migracioni, edhe përballë fqinjëve tanë gjermanë. Kancelari Merz e kupton këtë. Edhe ai ka problemet e tij, probleme me të djathtën ekstreme, probleme me migracionin”, tha Tusk.
Duke theksuar se Polonia nuk ka për qëllim të zgjasë kot kontrollet kufitare, ai gjithashtu u shpreh qartë se përgjigjja e Varshavës do të jetë pasqyrim i veprimeve të Berlinit.
“Ne sigurisht që nuk do t’i zgjasim kontrollet kufitare pa masë. Megjithatë, nuk do t’i heq kontrollet kufitare për sa kohë që pala tjetër i mban ato. Do të jetë simetrike”, tha ai.
Gjermania së fundmi zgjati kontrollet e përkohshme kufitare me Poloninë, duke përmendur nevojën për të frenuar migracionin e parregullt dhe krimin e organizuar.
Javën e kaluar, Rojet Kufitare Polake thanë se në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan mbi 4.600 hyrje të paligjshme nga Gjermania, shumica prej qytetarëve të Ukrainës, respektivisht 40 për qind, me të tjerë nga Afganistani, Somalia, Siria, Gjeorgjia dhe Kolumbia.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbi 850 emigrantë që hynë ilegalisht në Gjermani nga Polonia këtë vit ishin persona që kishin kaluar përmes Bjellorusisë.
Sipas rregullores së Dublinit, kërkesat për azil të emigrantëve që vijnë nga vendet jashtë BE-së duhet të përpunohen në vendin e parë të hyrjes në BE.