Policia spanjolle sekuestron 10 tonë kokainë në një anije tregtare në Oqeanin Atlantik

Policia e Spanjës dhe Marina njoftuan sekuestrimin e rreth 10 tonëve drogë të tipit kokainë në një operacion në një anije tregtare në Oqeanin Atlantik, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim, policia spanjolle tha se një total prej 9.994 kilogramësh kokainë u gjetën në anijen me flamur kamerunian “United S” në një operacion të kryer të dielën, më 11 janar, 535 kilometra larg Ishujve Kanarie në Oqeanin Atlantik.
Duke vënë në dukje se kjo është sasia më e madhe e drogës së sekuestruar ndonjëherë në Evropë, policia spanjolle deklaroi se anija, e cila u përcaktua se transportonte kripë, ishte nisur nga Brazili dhe po lundronte drejt një porti evropian.
Operacioni në anije, e cila kishte pritur në Oqeanin Atlantik për 12 orë për shkak se i mbaroi karburanti, thuhet se u përshpejtua pasi u vunë re disa motoskafe që po afroheshin ndoshta me qëllimin për transferimin e drogës.
Në operacion u ndalua ekuipazhi i anijes prej 13 personash për të cilët thuhet se janë shtetas indianë dhe serbë. Bëhet e ditur se anija brenda së cilës ndodhej droga e fshehur në 294 pako midis kripës, u tërhoq në portin e Tenerife-s.
Ky operacion, i quajtur “Vala e Bardhë”, përshkruhet si sekuestrimi më i madh i kokainës i kryer ndonjëherë nga policia spanjolle në det dhe përfshin bashkëpunimin e forcave të sigurisë nga Brazili, Franca dhe Portugalia.



