Policia portugeze arreston 37 persona në një operacion kundër grupit neo-nazist

Policia portugeze arrestoi të martën 37 persona në një operacion të gjerë kundër një grupi neo-nazist të akuzuar për intimidimin e minoriteteve etnike dhe emigrantëve, transmeton Anadolu.

Operacioni, i koordinuar nga Njësia Kombëtare Kundër Terrorizmit, përfshiu 300 oficerë që kryen 65 kontrolle. Një total prej 15 personash të tjerë u identifikuan si të dyshuar, thanë autoritetet.

“Të ndaluarit, të moshës midis 30 dhe 54-vjeç, adoptuan dhe promovuan ideologjinë naziste të lidhur me kulturën Nacional-Socialiste dhe ekstremizmin e dhunshëm të së djathtës radikale”, thuhej në deklaratën e policisë, duke shtuar: “Vepruan me motive raciste dhe ksenofobike, me qëllim intimidimin, përndjekjen dhe presionin ndaj minoriteteve etnike, veçanërisht emigrantëve”.

Policia tha se të dyshuarit themeluan një organizatë kriminale me qëllim të vetëm nxitjen e diskriminimit, urrejtjes dhe dhunës racore.

“Grupi operonte brenda një strukture hierarkike të fortë, me role të qarta dhe të përcaktuara”, shtoi policia.

Gjithashtu, autoritetet sekuestruan sasi të mëdha materiale propagandistike të së djathtës ekstreme, si dhe armë dhe pajisje taktike.

Gazeta “Diario de Noticias” raportoi se policia synoi grupin ultranacionalist “Grupo 1143”, i udhëhequr nga Mario Machado, i cili më parë ishte dënuar me burg për nxitje të urrejtjes.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button