Policia në Irlandën e Veriut heq posterat kundër muslimanëve dhe emigrantëve
Në Irlandën e Veriut të Mbretërisë së Bashkuar, policia hoqi posterat kundër muslimanëve dhe emigrantëve të varura në shtylla në hapësirën e një blloku ndërtesash, transmeton Anadolu.
Sipas raporteve në mediat e vendit, ministri i Infrastrukturës së Irlandës së Veriut, John O’Dowd i shkroi letër shefit të policisë Jon Boutcher në fillim të muajit, duke kërkuar që policia të hiqte posterat kundër emigrantëve në zonën e Newtownabbey.
Pas kërkesës në fjalë, Policia e Irlandës së Veriut (PSNI), duke marrë parasysh shqetësimet e komunitetit hoqi pankartat e varura në shtyllat në hapësirën e një blloku ndërtesash Rathcoole me mbishkrimet: “Kushdo që lehtëson vendosjen e muslimanëve ose emigrantëve të paligjshëm në zonat tona do të mbajë përgjegjësi”, “Stop imigrantëve të paligjshëm” dhe “Duhet të mbrojmë fëmijët tanë”.
– Policia e trajton varjen e posterave si “krim urrejtjeje”
PSNI në një deklaratë për BBC tha se posterat ishin “të papranueshëm”.
Një zëdhënës i PSNI-së deklaroi se posterat në zonë janë hequr dhe se varjen e këtyre posterave e kanë trajtuar si një “krim urrejtjeje”.