Policia e Kosovës taraf-taraf po e kërkon Artanin, s’lënë birucë pa e lypë
Njësitë policore që merren me arrestimin e të kërkuarve ndërkombëtarisht, kanë pranuar gjatë ditës së sotme edhe fletarrestin nga ana e Maqedonisë së Veriut ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi.
Siç mësohet tani më edhe ka filluar kërkimi i Grubit në tërë Kosovën, duke mos lënë vend pa kërkuar për gjetjen e tij.
Grubi dhe ish drejtori i Lotarisë Përparim Bajrami akuzohen “për përvetësim të pasurisë së paligjshme”, nga Lotaria Shtetërore, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 8.2 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, Grubi, si i dyshuari i dytë në këtë rast, ka mundësuar një procedurë të paligjshme për furnizimin me terminale (VLT), ndonëse ishte në dijeni se Lotaria Shtetërore nuk kishte autorizim për të organizuar lojëra elektronike të fatit në mënyrë të pavarur brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.
Grubi, i cili më 9 dhjetor u fut në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion, i ka mohuar akuzat për arratisje, duke deklaruar se ndodhet jashtë vendit për një “vizitë private”. Ai ka shtuar për këtë vizitë e ka informuar edhe sigurimin e tij personal policor.