Po fillon pagesa e subvencioneve shtetërore në sport, njoftoi ministri

Në ditët në vijim, federatat kombëtare të sportit, klubet dhe sportistët do të marrin fondet nga subvencionet shtetërore të dhëna nga Ministria e Sportit. Procesi administrativ ka përfunduar dhe pritet të fillojë pagesa e mjeteve, pas procedurës së re më efikase dhe më të thjeshtësuar, njoftoi ministri i Sportit, Borko Ristovski në emisionin “Argument Plus” në TV24.
“Ministria e Sportit dhe Qeveria siguruan 550 milionë denarë ose diçka më pak se 10 milionë euro, të cilat janë të destinuara për subvencionimin e sportit, gjë që nuk e ka siguruar Qeveria e kaluar. Po të mos bëhej ndryshimi i qeverisë dhe të mos krijohej Ministria e re e Sporteve, me përgjegjësi pretendoj se nuk do të kishte pasur subvencione dhe ndihmë shtetërore për sportin, sepse ato para nuk ishin parashikuar në buxhetin e këtij viti. Qeveria e mëparshme kishte parashikuar në buxhet “zero” para për sportin. Ky është një hap i madh edhe për Ministrinë e Sportit edhe për këtë Qeveri, sepse këto mjete i kemi siguruar me ribalancimin e buxhetit. Shuma është disi më e vogël se 615 milionë denarët e mëparshëm, por nëse kemi parasysh se është 550 milionë denarë për vetëm disa muaj deri në fund të vitit fiskal, do të shohim se kjo është një ndihmë e madhe”, theksoi Ristovski.
Në fazën përfundimtare të procesit të dhënies së subvencioneve shtetërore në sport, Ministria e Sportit u ka dërguar një shkresë të gjitha federatave kombëtare sportive, të cilat duhet t’ua përcjellin formularët e detyrueshëm klubeve, në mënyrë që ato t’i plotësojnë sa më shpejt dhe t’i dorëzojë Ministrisë së Sportit për të filluar disbursimin e fondeve sa më shpejt të jetë e mundur. Ministri Ristovski sqaroi se pagesa do të bëhet rradhazi, me çka do të shkurtohet dukshëm e gjithë procedura.
“Ne i kemi fondet në llogarinë tonë, jemi gati të fillojmë pagesën. Kemi ndryshuar paksa mënyrën e disbursimit të fondeve, jo vetëm në pjesën e kritereve, por edhe në atë të disbursimit. Fillimisht, nuk do të presim të mbërrijnë të gjitha aplikimet apo formularët, që të shqyrtohen, por procedura do të vijojë me radhë. Me hyrjen e raporteve, ato do të përpunohen. Formularët e pranuar do të shqyrtohen çdo dy ditë dhe sapo të miratohen, fondet do të disbursohen ditën e nesërme. Procedura e mëparshme, që nga miratimi i formularëve në Agjencinë e atëhershme për Rini dhe Sport e deri te pagesa e mjeteve, kishte një afat prej 90 ditësh. Ne kemi thjeshtësuar procesin dhe kemi shkurtuar këtë afat. Ose për të sqaruar, hipotetikisht, nëse i dorëzojnë formularët të hënën, dokumenti mund të nënshkruhet tashmë të mërkurën në mënyrë që aplikanti të fillojë të paguhet. Sigurisht, nëse dokumentacioni është i plotë dhe i rregullt. Është një procedurë shumë e thjeshtësuar dhe shumë më efikase, sepse jemi të vetëdijshëm se klubet janë në pritje të këtyre mjeteve”, tha Ristovski, duke sqaruar se pagesa e subvencioneve shtetërore në sport, për shkak të respektimit të ligjshmërisë dhe transparencës, fillon pak më vonë se afati i shpallur fillimisht.



