Po arrestohen shefa dhe policë aktualë që ishin në detyrë gjatë tragjedisë në Koçan

Nën udhëheqjen e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, janë ndaluar mbi 10 shefa aktualë policie dhe policë të cilët ishin në ndërrim natën e 16 marsit 2025, kur ndodhi tragjedia e tmerrshme në diskotekën “Pulse”, ku u dogjën për vdekje 62 të rinj dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.
Sipas informacioneve jozyrtare, të ndaluarit janë nga SPB Shtip dhe nga Stacioni Policor në Koçan.
Deri tani, Prokuroria për Krim të Organizuar kishte ngritur dyshime ndaj 7 punonjësve policorë, por nga strukturat e mëparshme, para ardhjes së pushtetit të ri.
Prej më shumë se tre muajsh, çdo të shtunë, prindërit e të rinjve dhe të miturve të vrarë marshojnë dhe protestojnë para stacionit policor në qytet, duke kërkuar përgjegjësi edhe nga zyrtarët që ishin në funksione dhe në detyrë natën kritike.
Prindërit e pikëlluar, ashtu si edhe e gjithë opinioni publik, janë të bindur se një pjesë e fajit për zjarrin katastrofal bie edhe mbi shefat dhe inspektorët aktualë të policisë në Koçan, e jo vetëm mbi ish-zyrtarët që tashmë janë të dyshuar dhe në paraburgim.
Për nesër në mesditë, Prokuroria ka paralajmëruar detaje për të ndaluarit e fundit në aksionin e MPB-së lidhur me tragjedinë. Disa ditë më parë, Prokuroria njoftoi se hetimi është përfunduar dhe se janë mbledhur një numër i madh provash. Por kjo nuk i ka qetësuar prindërit, të cilët pretendojnë se kanë dëshmi dhe informacione edhe për drejtuesit aktualë të policisë në Koçan dhe në SPB Shtip, të cilët përmes neglizhencës dhe lidhjeve të tyre me pronarin e diskotekës së improvizuar, kanë ndihmuar që fëmijët e tyre të humbin jetën.
Për policët e dyshuar në aksionet e mëparshme, Prokuroria kishte deklaruar se ata i kishin lejuar lokalit të funksionojë, ndonëse kishin dijeni se objekti nuk përmbushte kushtet standarde për punë.
“Si persona zyrtarë të punësuar në SPB Shtip dhe në Stacionin Policor të Koçanit, në cilësinë e bashkëkryesve, të dyshuarit, përmes përgatitjes, nënshkrimit dhe aprovimit të pëlqimeve pozitive, i kanë mundësuar një personi juridik të marrë licencë për ushtrim veprimtarie hotelerie – kabare, megjithëse objekti nuk i përmbushte kushtet ligjore për punë. Të dyshuarit, të gjithë së bashku, kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën dhe trupin e njerëzve, duke mundësuar funksionimin e kabareve në kushte jo të përshtatshme, ku më 16.03.2025 ndodhi një zjarr me pasoja katastrofale,” kishte deklaruar Prokuroria tre muaj më parë.
Duke pasur parasysh se “Pulse” kishte funksionuar dy vitet e fundit pa licencë, është e lehtë të konkludohet se bëhet fjalë për ish-shefa dhe inspektorë.