Plenkoviq pret Kurtin në Zagreb: Kroacia dhe Kosova nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Kroaci, gjatë së cilës është paraparë të takohet me zyrtarët më të lartë të vendit dhe të nënshkruajë një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh bashkëpunimi, raporton Anadolu.
Kurti është pritur zyrtarisht nga kryeministri kroat Andrej Plenkoviq para “Banski dvori” në Zagreb, pas së cilës ka filluar takimi i dy kryeministrave dhe takimi i dy delegacioneve.
Pas takimit është planifikuar të nënshkruhen disa marrëveshje, kontrata dhe memorandume, si dhe një fjalim i Plenkoviqit dhe Kurtit.
Siç është paralajmëruar, Kroacia dhe Kosova do të nënshkruajnë marrëveshje për sigurimet sociale, marrëveshje për njohjen reciproke dhe shkëmbimin e patentë shoferëve dhe një marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, teknike dhe teknologjike.
Memorandum mirëkuptimi do të nënshkruhet edhe ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, Qendrës për Hetime, Hulumtime dhe Ekspertiza Mjeko-ligjore “Ivan Vuçetiq” dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, Drejtorisë së Policisë, Akademisë Policore “Prvi hrvatski Redarstvenik” (Oficeri i parë i Policisë Kroate) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për forcimin e bashkëpunimit në fushën e edukimit dhe hulumtimit.
Gjatë ditës do të hapet edhe Forumi Ekonomik Kroaci-Kosovë dhe me atë rast janë paraparë fjalimet e dy kryeministrave.
Është paraparë që Kurti të takohet edhe me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, ndërsa vizitën e tij në Zagreb do ta përfundojë me një takim me kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, Goran Jandrokoviq.
Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Kurti, përbëhet nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Siç ishte paralajmëruar edhe nga Ambasada e Kosovës, Kurti do të bisedojë edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zagreb.
Pas Kroacisë, kryeministri Kurti udhëton për vizitë në Slloveni.