Plenkoviq për armët e reja të Serbisë: Nuk janë parë të tilla në Evropë

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se armët e reja të ushtrisë së Serbisë “nuk janë parë ende në territorin evropian”, gjatë një vizite në Zagreb të premten.
Plenkoviq shtoi se i ka shkruar sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, por refuzoi të jepte detaje të mëtejshme.
Për armët e reja të ushtrisë serbe ka folur edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Maqedonci u shpreh se blerja e armëve kineze tregon tendenca hegjemoniste të Serbisë ndaj vendeve fqinje.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 12 mars, se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina. Vuçiqi deklaroi se raketat janë tashmë të integruara me avionët luftarakë rusë MiG-29, me rreze veprimi 200 deri 400 kilometra dhe me fuqi të madhe shkatërruese.
Vuçiqi më pas iu përgjigj Plenkoviqit duke thënë se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”. Ai gjithashtu pretendoi se Serbia po përgatitet “për një sulm të mundshëm nga aleanca midis Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”.
Megjithatë, gjatë një vizite në Indi në shkurt, Plenkoviq kishte siguruar Vuçiqin se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë, megjithëse presidenti serb pranoi se ka ende një dozë shqetësimi.
Në mars të vitit 2025, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan Deklaratën për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë – të cilën Serbia e konsideroi kërcënim për sigurinë e vendit. Sivjet pritet të mbahet edhe stërvitja e parë ushtarake mes tri vendeve.



