Plenkoviq pas takimit me Kurtin: Duam që dialogu Beograd-Prishtinë të rezultojë me njohje reciproke

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet e ndërsjella mes dy vendeve, situatën në veri të Kosovës, rrugën evropiane të vendit dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, raporton Anadolu.

Plenkoviq e ka pritur Kurtin në Zagreb, pas së cilës është zhvilluar takimi ‘kokë më kokë’ mes dy kryeministrave, si dhe takimi i dy delegacioneve. Pas takimit u nënshkruan disa marrëveshje, kontrata dhe memorandume, pas çka të dy folën për mediat.

Plenkoviq tha se Kroacia dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira ekonomike dhe se vitin e kaluar shkëmbimi ekonomik ka arritur në 200 milionë euro. Sivjet, siç tha ai, në tetë muajt e parë, këmbimi ekonomik është afruar në 150 milionë euro, që sipas tij, duhet të tejkalojë vëllimin e përgjithshëm të këmbimeve deri në fund të vitit.

Dy kryeministrat diskutuan për pakicën kroate në Kosovë dhe komunitetin shqiptar në Kroaci. Gjithashtu u diskutua për zhvillimin e ngjarjeve në rajon dhe rrugën evropiane të Kosovës.

“Kroacia mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ne mbështesim vazhdimin e dialogut me Serbinë. Vlerësojmë se çështja më e madhe, më e rëndësishme, çështja e veriut të Kosovës, çështja e katër komunave në veriun e Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potok, janë tema vendimtare për të cilat kryeministri Kurti po bisedon me bashkëbiseduesit e tij në Beograd dhe me partnerët evropianë, në mënyrë që ato bisedime të vazhdojnë. Ne duam paqe dhe stabilitet”, tha Plenkoviq.

Kryeministri kroat iu referua edhe sulmit të fundit në Kosovë, përkatësisht shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenci, duke e cilësuar atë si akt “terrorist”.

“Ne po e ndjekim situatën me shqetësim. Është mirë që autoritetet e Kosovës janë në proces të hetimit të këtij akti, mund të themi, terrorist. Pasojat e tij kanë për qëllim, nëse nuk ka ujë, nuk ka funksionim të termocentralit, nëse nuk ka termocentral, nuk ka energji elektrike… do të ketë pasoja më të mëdha për funksionimin e jetës së përgjithshme në Kosovë. Autoritetet e Kosovës kanë përfshirë në procesin e hetimit edhe partnerë ndërkombëtarë. Pra, që në fillim morën përfaqësues të KFOR-it dhe përfaqësues të Kompanisë Evropiane të Transmetimeve në Kosovë për të mësuar së bashku se si ndodhi dhe çfarë ndodhi”, tha Plenkoviq.

Ai shtoi se ky incident nuk ishte rast i izoluar dhe se i kanë paraprirë dy të tjerë.

“Ne duam një Kosovë stabile, duam që procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të rezultojë në normalizimin e marrëdhënieve në lidhje me rezultatin përfundimtar në të ardhmen dhe njohjen reciproke dhe, natyrisht, funksionimin që do ta vinte Kosovën në një pozicion për të lëvizur në rrugën adekuate drejt Bashkimit Evropian”, tha Plenkoviq.

Ai shtoi se Kosova, si shtet i njohur ndërkombëtarisht, është realitet dhe se nuk sheh një skenar në të cilin ai realitet do të ndryshonte.

“Ajo që është e rëndësishme për stabilitetin e gjithë Evropës Juglindore është që marrëdhëniet ndërmjet shteteve të krijuara pas shpërbërjes së ish-RSFJ-së të rregullohen në mënyrë të strukturuar, efektive me respekt të ndërsjellë, pa konflikte dhe të fokusuara në bashkëpunim dhe në proces të integrimit evropian. Ky është i gjithë kuptimi i politikës evropiane dhe i perspektivës evropiane. Pa këtë, ne kthehemi në një kohë tjetër, në një kontekst tjetër për të cilin jam i sigurt se askush nuk e kupton, nuk ka oreks”, theksoi Plenkoviq.

– Kurti: Serbia nuk është shtet demokratik

Kryeministri Kurti tha se Kosova dhe Kroacia ndajnë një miqësi të vërtetë, partneritet të fortë dhe një aleancë të shëndetshme të bazuar në vlerat e përbashkëta demokratike, përkushtimin për paqen dhe sigurinë në rajon dhe një orientim të qartë euroatlantik.

“Kroacia me shembullin e saj të guximshëm, me popullin e saj që luftoi dhe derdhi gjak për çlirim, është frymëzim për të gjitha kombet që përpiqen për liri, pavarësi, demokraci, integrim dhe zhvillim ekonomik dhe mirëqenie të qytetarëve”, tha Kurti.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për situatën aktuale në Serbi, ku po vazhdojnë protestat e mëdha të studentëve dhe se si zhvillimet e tilla do të ndikojnë në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Kurti tha se “Serbia nuk është shtet demokratik”.

“Atje nuk respektohen të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave. Për fat të keq, establishmenti në Serbi nuk beson në pluralizmin politik. Nuk ka shtet ligjor, prandaj ka protesta kaq të ashpra të studentëve. Përshtypja ime është se Serbia është vetëm formalisht një republikë dhe është e pamundur që ajo të bëhet mbretëri. Prandaj në këtë hendek ata janë bërë, siç i kemi njohur gjithmonë, një shtet paraushtarak. Tek ne e dërgojnë Milan Radojçiqin për të kryer aksione terroriste, ndërsa në Beograd i rrahin studentët. Ne e dimë nga përvoja historike se si përfundon kjo. Por duket se Beogradi nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara e tij”, tha Kurti.

Ai ka theksuar se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe i bën thirrje Brukselit që t’i bëjë presion Beogradit që të respektojë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.

“Prandaj kemi një marrëveshje nga Brukseli dhe ajo marrëveshje është modeluar sipas shembullit të Gjermanisë nga viti 1972, që është njohje reciproke ‘de facto’. Ne kemi marrëveshje, kemi një marrëveshje edhe për zbatimin e asaj marrëveshjeje, por çdo javë Beogradi bën shkelje të ndryshme të asaj marrëveshjeje dhe nuk e lejon zbatimin e saj”, tha Kurti.

Ai theksoi se Kosova insiston që Brukseli të bëjë presion mbi Beogradin që ta respektojnë marrëveshjen dhe “ta zbatojmë sa më shpejt që të kemi marrëdhënie të normalizuara si dy shtete normale”.

“Kosova është vend normal. Kemi rritje të jashtëzakonshme ekonomike, kemi progres demokratik, por marrëdhëniet tona normale duhet të kenë edhe një Serbi normale”, tha Kurti.

Sot, Kroacia dhe Kosova nënshkruan marrëveshjen për sigurimet sociale, marrëveshjen për njohjen reciproke dhe shkëmbimin e patentë shoferëve, si dhe marrëveshjen për bashkëpunim në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, teknike dhe teknologjike. Është nënshkruar edhe një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, Qendrës për Hetime, Hulumtime dhe Ekspertiza Mjekoligjore “Ivan Vuçetiq” dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Në Zagreb është nënshkruar edhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, Drejtorisë së Policisë, Akademisë Policore “Prvi hrvatski Redarstvenik” (Oficeri i parë i Policisë Kroate) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për forcimin e bashkëpunimit në fushën e edukimit dhe hulumtimit.

Plenkoviq dhe Kurti, siç është paralajmëruar, do të hapin sot Forumin Ekonomik Kroaci-Kosovë, i cili do të mbledhë një numër të madh të ndërmarrësve.

Kurti pritet të takohet edhe me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, ndërsa vizitën në Zagreb do ta përfundojë me një takim me kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, Goran Jandrokoviq.

Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Kurti, përbëhet nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Siç ishte paralajmëruar edhe nga Ambasada e Kosovës, Kurti do të bisedojë edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zagreb.

Pas Kroacisë, kryeministri Kurti udhëton për vizitë në Slloveni.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button