PKK terroriste shpall armëpushim

PKK-ja terroriste ka shpallur se do të zbatojë një armëpushim me Turqinë, duke iu përgjigjur thirrjes së liderit të saj të burgosur, Abdullah Öcalan, për çarmatim, raportojnë mediat kurde.
Njoftimi nga grupi i jashtëligjshëm, i raportuar nga agjencia e lajmeve pro-PKK Firat (ANF) të shtunën, shihet si një hap i madh drejt përfundimit të konfliktit 40-vjeçar me shtetin turk.
“Për të hapur rrugën për zbatimin e thirrjes së liderit Apo për paqe dhe një shoqëri demokratike, ne shpallim një armëpushim të vlefshëm nga sot”, tha komiteti ekzekutiv i PKK-së në një deklaratë të cituar nga ANF, duke iu referuar Öcalan-it.
“Ne pajtohemi me përmbajtjen e kësaj thirrjeje dhe deklarojmë se do ta ndjekim dhe zbatojmë atë”, shtoi komiteti.
“Asnjë nga forcat tona nuk do të marrë veprime të armatosura, përveç nëse sulmohet”, theksoi grupi.
PKK shprehu shpresën se Ankaraja do ta lirojë Öcalan-in, i cili mbahet në izolim që nga viti 1999, në mënyrë që ai të mund të udhëheqë procesin e çarmatimit, duke shtuar se duhen krijuar kushtet politike dhe demokratike të nevojshme për suksesin e këtij procesi.
Deklarata nuk përcaktoi një afat të saktë për shpërbërjen e grupit.
Të enjten, Öcalan bëri një thirrje historike nga burgu për partinë që të dorëzojë armët, të shpërbëhet dhe të përfundojë konfliktin e saj shumëvjeçar me shtetin turk.
Öcalan, 75 vjeç, është i burgosur në ishullin Imrali, pranë Stambollit, që nga viti 1999, pasi u dënua për tradhti. Pavarësisht burgosjes, ai vazhdon të ketë ndikim të madh mbi organizatwn terroriste PKK, të cilën e themeloi në vitin 1978.
Një ditë më pas, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, mirëpriti thirrjen e Öcalan-it, duke e cilësuar atë si një “mundësi historike” për paqen.
Ai tha se Turqia do ta “monitorojë nga afër” për t’u siguruar që bisedimet për t’i dhënë fund kryengritjes të “përfundojnë me sukses”.
“Kur presioni i terrorizmit dhe armëve të eliminohet, hapësira për politikë në demokraci do të zgjerohet natyrshëm”, premtoi Erdoğan.
PKK-ja, e shpallur organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka zhvilluar një kryengritje që nga viti 1984 me qëllim krijimin e një atdheu për kurdët, të cilët përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë prej 85 milionësh të Turqisë.
Që nga burgosja e Öcalan-it në vitin 1999, ka pasur përpjekje të ndryshme për t’i dhënë fund gjakderdhjes, e cila ka shkaktuar mbi 40,000 viktima.
Përpjekjet e mëparshme për paqe me PKK-në kishin dështuar, më së fundmi në vitin 2015.
PKK-ja tha të shtunën se është e gatshme të mbajë një kongres siç dëshiron Öcalan-i, por “që kjo të ndodhë, duhet krijuar një mjedis i përshtatshëm dhe i sigurt” dhe Öcalan “duhet ta drejtojë dhe udhëheqë personalisht për suksesin e kongresit”.
Fqinji i Turqisë, Iraku, e ka mirëpritur thirrjen e Öcalan-it, duke e cilësuar atë si “një hap pozitiv dhe të rëndësishëm drejt arritjes së stabilitetit në rajon”.
Prania e PKK-së në Irak ka qenë një burim i përsëritur tensioni midis Bagdadit dhe Ankarasë. Grupi mban pozicione në rajonin gjysmë-autonom të Kurdistanit në Irak, ku Turqia gjithashtu ka baza ushtarake dhe shpesh kryen operacione tokësore dhe ajrore kundër grupeve terroriste kurde.