Pishtari që ndriçon, Alija Izetbegoviq

Sa më shumë rrjedh koha, aq më shumë ndihet nevoja e rikthimit kohë pas kohe tek leximi i veprës së Alija Izetbegoviq dhe jo vetëm. Vepra e tij është një gurthemel i rëndësishëm në fushën e ideve, mendimit, kulturës, qytetërimit. Nuk ka më rëndësi se si mund ta shohin apo gjykojnë të tjerët. E rëndësishme është që ata që duhej ta vlerësonin shumë më herët se sot, kanë filluar ta vlerësojnë drejt rëndësinë e kësaj vepre.

Nuredin NAZARKO, Korçë

Të shkruash për figura që kanë lënë gjurmë në historinë e mendimit, kulturës dhe qytetërimit është gjithmonë sfiduese. Është si të ulesh e të shkruash për mësuesin, modelin frymëzues që të ka çelur me dhjetëra dritare prej nga ku ulesh e vështron botën brenda teje dhe jashtë teje. Teksa përzihen kujtimet me emocionet, edhe pse nuk je ulur kurrë në një auditor për ta dëgjuar njeriun që flet përmes penës, nuk mund t’i shpëtosh dilemës: – Çfarë mund të hedh në letër për këtë njeri? Çfarë mund të shkruaj për njeriun që frymëzon me idetë e tij, personalitetin e tij në një kohë kur duket se perdja është ulur dhe njeriu është tërhequr nga skena?

Me emrin e Alija Izetbegoviq jemi njohur përmes veprës themelore të tij “Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit”. Si studentë, kishim dëshirën e mirë për të kënduar libra që plugonin një tokë të lënë djerrë prej dekadash. Çdo libër i ri që mund të lexonim ose mund ta blinim me ato mundësi që kishim ishte si shi i rënë prej qielli pas një periudhe të gjatë thatësie. Ndryshe nga librat e tjerë “Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit” ishte i veçantë në stilin e të shkruarit, mënyrën e të shpjeguarit, shtjellimin e ideve, qasjen ndaj modernitetit, fetarisë dhe temave thelbësore që lidheshin me jetën tokësore të njeriut e përjetësinë. Kjo veçanësi për ne asokohe ishte e pakuptueshme.

Në rrethe të caktuara qarkullonin mendime se ky libër nuk duhej lexuar se përmbante shumë filozofi, ishte i pakuptueshëm dhe mund të të degdiste në udhë pa krye, mund të të trazonte paqen e brendshme dhe të të përmbyste kuptimin mbi fetarinë dhe botën moderne. Leximi i tij konsiderohej rrezik për pështjellimin ideor, prandaj më mirë do të ishte lënia në harresë e këtij libri. Nuk ja vlente barra qeranë të merrje mundimin për ta lëçitur, pasi mund të hyjë në rrugën pa kthim të braktisjes së kuptimit klasik të koncepteve që trajtonte autori. Kjo qasje ndikoi që një pjesë ta shihte si libër të ndaluar për lexim e studim, një pjesë tjetër duke e lexuar gjithmonë me dyshim apo për të gjetur në të gabime që do ta zhvlerësonin librin në sytë e lexuesve, në mënyrë që “rreziku” që mbartnin idetë e librit të mos përhapej e të turbullonte mendjen e njerëzve, veçanërisht njerëzve që kishin qasje pozitive ndaj fesë islame.

Bazuar në këtë perspektivë, qasja ndaj librit ishte e vakët, pa nerv, pa shpirt, e mbushur me dyshime dhe dilema nëse do të binim nën ndikimin e ideve të tij apo jo. Edhe pse për nevoja të caktuara mund të shfletohej ndonjëherë shkujdesja ndaj studimit të tij ishte bashkudhëtare e vazhdueshme.

Koha shëron plagë dhe ua jep vendin gjërave ashtu si e meritojnë, në kohën që duhet. Të ndryshosh bindje dhe qëndrime nuk është e lehtë. Ka bindje dhe qëndrime të cilat mbivendosen mbi një rrënjë të hershme të karakterit. Qëndrimet që i mbivendosen karakterit pozitiv dhe nuk shkojnë krah për krah me të mirën dhe të drejtën herët a vonë bien, sepse trungu ku janë shartuar nuk është i llojit të tyre.

Leximet e vazhdueshme, sfidat e jetës, puna me librin në vazhdimësi, çlirimi nga paragjykimet, dashuria për njerëzit që lëvrojnë mendimin, jetojnë e shkruajnë me shumë sakrifica u bënë pika e kthesës për t’u rikthyer tek “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, me një tjetër mënyrë të të menduari, me një tjetër frymë, më një tjetër shikim. Hyrja në brendi të librit, kuptimi i drejtë i koncepteve tejet të rëndësishme shtjelluar nga autori më kthjelltësi rrëzoi paragjykimin e hershëm, se libri jo vetëm që nuk të turbullonte mendjen, por ishte tejet bazik për të ndriçuar udhën në një botë komplekse, ku vërshimi i informacionit pa kriter dhe pavetëdija mbi natyrën e ekzistencës janë bërë tejet sfiduese për drejtpeshimin e mënyrës së të jetuarit.

Sa më shumë rrjedh koha, aq më shumë ndihet nevoja e rikthimit kohë pas kohe tek leximi i veprës së Alija Izetbegoviq dhe jo vetëm. Vepra e tij është një gurthemel i rëndësishëm në fushën e ideve, mendimit, kulturës, qytetërimit. Nuk ka më rëndësi se si mund ta shohin apo gjykojnë të tjerët. E rëndësishme është që ata që duhej ta vlerësonin shumë më herët se sot kanë filluar ta vlerësojnë drejt rëndësinë e kësaj vepre. Dhe, më e rëndësishme se kaq është se kjo vepër do të vazhdojë të qëndrojë si pishtar ndriçues për brezat që vijnë, sepse dilemat ekzistenciale dhe kërkimi për të gjetur përgjigjen për to nuk do të reshtë nga ana e njeriut.

Prej veprës “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” mund të shkëputim pasazhe të vlefshme, por menduam të zgjedhim një pjesë që është matëse e peshës së vendimit më të rëndësishëm të njeriut, të zgjedhë të jetojë i lirë apo jo.

Ka një lloj njerëzish që adhurojnë pushtetin e fortë, dëshirojnë të jenë të shtrënguar, i mrekullon rendi, ai i jashtmi, siç është në ushtri, “ku dihet kush komandon, e kush dëgjon”. Shija e tyre përkon me pjesët e reja të qytetit, tek janë identike të gjitha shtëpitë, në rreshta të drejtë dhe me fasada identike. Ata prapë pëlqejnë llamarinë – muzikën, uniformën, spektaklin, paradat dhe gënjeshtrat e tjera që “zbukurojnë” jetën dhe e lehtësojnë. Veçan dëshirojnë që të jetë “çdo gjë sipas ligjit”. Këta janë njerëzit me mentalitet vartësie. Ata kanë dëshirë të jenë vartës, kanë dëshirë sigurinë, rendin, estabilishmentin, kanë dëshirë të lavdërohen nga eprorët e vet, kanë dëshirë të jenë “në mëshirë”. Ata janë të ndershëm, lojalë, për më tepër – qytetarë korrektë. Vartësit dëshirojnë të ketë pushtet, kurse pushteti dëshiron të ketë vartës. Ata shkojnë së bashku si pjesë e një tërësie. Po s’pati autoritet vartësit e shpikin.

Në anën tjetër qëndron një lloj i pafat, i mallkuar njerëzish që kundërshton vazhdimisht për diçka, që kërkon vazhdimisht diç të re. ai për bukë flet më pak, kurse për liri më shumë, më pak për rendin dhe qetësinë, kurse më shumë për personalitetin e njeriut. Ai nuk pranon që perandori e paguan, përkundrazi – pohon se ai edhe perandorin e mban (“pushteti s’na mban neve, ne e mbajmë pushtetin”). Këta heretikë të amshueshëm zakonisht nuk e duan pushtetin, as pushteti s’i do ata. Kur janë religjiozë, vartësit adhurojnë njerëzit, autoritetet, idhujt; njerëzit e lirë dhe kryengritësit adhurojnë Zotin e vetëm. Sepse, përderisa idolatria s’i prish punë robërisë dhe vartësisë, besimi i vërtetë s’e pengon lirinë. (Izetbegoviq, A. (2009), Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit, Shkup: Logos-A, faqe 168.)

Nuk duhet harruar se libri nuk i drejtohet thjesht masës së besimtarëve, por qenies njerëzore dhe kjo ia shton edhe më vlerën dhe rëndësinë në hapësirë dhe kohë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button