Philadelphia Eagles bën surprizën, mposht kampionët në fuqi dhe triumfon në Super Bowl 2025
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/02/filadelfia-780x470.jpg)
Dikush edhe mund ta priste një sukses të tillë, por sigurisht jo të shihte një dominim absolut nga Philadelphia Eagles në edicionin e 59-të të Super Bowl. “Shqiponjat” e Pensilvanisë mposhtën 40-22 kampionët në fuqi Kansas City Chiefs.
Një fitore që kishte shijen e hakmarrjes për humbjen e pësuar në vitin 2022. Një ndeshje e dominuar nga Jalen Hurts me shokë, duke i mohuar ekipit të Chiefs fitoren e tretë radhazi të këtij turneu.
Finalja e luajtur në New Orleans nis e ekuilibruar, por shpejt Philadelphia Eagles marrin komandën e lojës, duke bërë një presion të fortë. Kjo bën që çereku i parë të përfundojë 7-0 për “shqiponjat”.
Dominimi i skuadrës së Philadelphia Eagles vijon edhe në çerekun e dytë, duke u shkëputur 24-0 në përfundim të pjesës së parë. Skuadra e Kansas City është shumë e lexueshme në lojën e saj dhe nuk arrijnë të dalin nga zona e tyre.
Skuadra e Chiefs e ka të vështirë të thyejë murin mbrojtës të Eagles, që shkëputet deri në 34-0 para se rivalët të shënojnë pikët e para (34-7). Për Hurts me shokë fundi i ndeshjes ishte një menaxhim i avantazhit dhe kohës, duke e merituar fitoren.