Pezullimi i mjeteve të IPARD 3, Mickoski: Unë kërkova që të ndalen pagesat

Me kërkesë të kryeministrit Hristijan Mickoski, Ministria e Financave ka marrë vendim për pezullimin e pagesave nga programi IPARD 3. Sipas kryeministrit, arsyeja është të hetohen të gjitha keqpërdorimet, pasi ka dyshime se ato nuk kanë ndodhur vetëm tani, por edhe më parë. Ky hap, siç theksoi Mickoski, është përshëndetur edhe nga përfaqësues të Komisionit Evropian.
“Po, unë e kërkova këtë sepse duhet të shohim deri ku shkojnë keqpërdorimet, sepse informacionet fillestare tregojnë se nuk janë vetëm tani, por janë bërë edhe më herët. Prandaj do t’i hetojmë të gjitha. Kushdo që mendon se do të kalojë kështu, gabohet. Do të përgjigjen të gjithë nga i pari deri tek i fundit, kushdo qoftë. Veprimi pozitiv është përshëndetur nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian.”, – deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
LSDM: Dëmet për bujqit janë të mëdha
Nga ana tjetër, LSDM thotë se dëmet për bujqit janë të mëdha pas pezullimit të IPARD-it. Ata kërkojnë që Qeveria t’i publikojë shifrat dhe të shkarkojë ministrin Tripunovski. Sipas opozitës, pezullime të tilla mund të zgjasin dy deri në tre vjet dhe mbetet e paqartë nëse programi IPARD do të vazhdojë pas një skandali të tillë.
“Pasi skandali që e paralajmëroi LSDM-ja u konfirmua, sot është koha që pushteti të fillojë t’u përgjigjet pyetjeve kyçe që i prekin si bujqit ashtu edhe opinionin publik. Po ashtu, është koha të shohim dorëheqjen e Tripunovskit, i cili po i shmanget përgjegjësisë para publikut. Qytetarët duhet të dinë se fondet IPARD, të cilat tani janë pezulluar, ndahen si grant prej 50% për bujqit, ndërsa 50% të tjera ata i sigurojnë vetë për çdo projekt.”, – theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Kujtojmë se Drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ilija Stojlev, u kap duke marrë ryshfet prej 400 eurosh, kësti i parë nga 50 mijë eurot e premtuara, nga ish-ministri Xhevdet Nasufi, tani pronar i një kompanie agroushqimore në Strugë. Nasufi ndiqet penalisht për dhënie ryshfeti, ndërsa Stojlev për marrje ryshfeti. Të dy kanë përfunduar në paraburgim, bashkë me dy të dyshuar të tjerë, ndërsa e dyshuara e pestë është në arrest shtëpiak. /Tvm2



