Pesëmbëdhjetë vjet reflektim: SHENJA si arkiv i gjallë i mendimit kritik

Si çdo ndërmarrje editoriale, edhe kjo revistë ka ndjekur ciklin e vet të jetës, të kushtëzuar nga konteksti historik dhe shoqëror në të cilin është formësuar. Megjithatë, përmbyllja e një projekti të tillë nuk nënkupton fundin e ndikimit të tij intelektual. Idetë, debatet dhe kornizat interpretative të artikuluara në faqet e saj vazhdojnë të qarkullojnë dhe të riprodhohen në forma të tjera – në botime shkencore, në platforma të reja mediatike dhe, mbi të gjitha, në vetë strukturën e kulturës së debatit publik.

Rizvan SULEJMANI, Shkup

Pesëmbëdhjetë vjet me SHENJA-n, në përmasat e historisë, përbëjnë një periudhë të shkurtër. Por, për një njeri që ka bashkëjetuar me këtë revistë, ato janë njëkohësisht një moment reflektimi dhe një gërmim në memorien e fjetur, e cila në thellësinë e saj ruan fillesat e këtij rrugëtimi, për të cilin ndihem krenar.

Më kujtohet kur më kontaktoi Afrim Gashi, asokohe kryeredaktor i kësaj reviste. Ai e shpalosi idenë për një platformë gjithëkombëtare informative, ku intelektualë, analistë dhe përfaqësues të botës akademike do të mund t’i artikulonin mendimet dhe idetë e tyre, si dhe të ofronin vlerësime për sfidat shoqërore e politike me të cilat përballen ose pritet të përballen shqiptarët kudo që jetojnë.

Në atë moment ndjeva një lloj përçarjeje të brendshme: nga njëra anë dëshirën për të mbështetur entuziazmin, guximin dhe vizionin e një të riu, ndërsa, nga ana tjetër, kujdesin dhe përgjegjësinë për ta frenuar atë zell, në mënyrë që të mos bëhej viktimë e vetvetes. Përvoja më kishte mësuar se sfida kryesore në ndërmarrje të tilla, sado të pastra në qëllim, është përballja me një shumicë pragmatiste, e cila preferon të ruajë status quo-në, edhe me çmimin e mbytjes së ideve avangarde që hapin horizonte të reja. E përgëzova dhe i urova sukses, por njëkohësisht shpreha dyshimin tim nëse do të mund t’i përballonte sfidat për më shumë se pesë vjet, me bindjen se pas kësaj periudhe projekti do të fitonte vetëqëndrueshmëri.

Por, ndodhi e papritura: triumfoi këmbëngulja, vullneti dhe guximi. Kaluan pesë vjet, kaluan dhjetë dhe sot festohet një përvjetor i rëndësishëm. Është momenti ta pranoj gabimin në parashikimin tim dhe të nxjerr një mësim jetësor: se empirizmi që ushqen skepticizmin mund të bëhet pengesa më e madhe për optimizmin, edhe kur ky i fundit mbështetet vetëm në intuitë.

Në këtë kontekst, kontributi i nismëtarëve të këtij projekti – Afrim Gashi, Zeqiria Ibrahimi dhe Ismail Sinani – duhet vlerësuar jo vetëm si një iniciativë editoriale, por si një ndërmarrje intelektuale me implikime më të gjera në formësimin e hapësirës publike. Po aq i rëndësishëm mbetet edhe roli i atyre kontribuuesve anonimë, mbështetja e të cilëve, shpesh e padukshme për publikun, por ka qenë vendimtare për qëndrueshmërinë e kësaj përvoje. Ky projekt përfaqëson, në thelb, një akt guximi dhe këmbënguljeje në mbrojtje të mendimit kritik në një mjedis shpesh të pafavorshëm për të.

Projekti fiton në peshë kur kemi parasysh se shoqëria shqiptare përjeton transformime të shpejta dhe domethënëse, pasi SHENJA tanimë është një pikë referimi për ta kuptuar gjenealogjinë e ideve dhe aksiologjinë e vlerave të një populli në një moment të caktuar historik. SHENJA nuk është vetëm një ditar kronologjik, që regjistron ngjarje dhe momente por edhe një reflektim, në distancë kohore, mbi politikën, shoqërinë, fenomenet kulturologjike të së kaluarës së transformuar në të sotmen. Ajo është një arkiv i gjallë i aktiviteteve shoqërore, politike e gjeopolitike të shtjelluara nga një distancë që mundëson analizë dhe refleksion jashtë shtrëngimit të opinionit të gjerë publik.

Në faqet e kësaj reviste artikulohet një spektër i gjerë mendimesh alternative dhe kritike, të cilat, në momentin e shfaqjes së tyre, shpesh janë perceptuar si iluzore apo utopike; megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e tyre, përmes proceseve graduale, si në heshtje tashmë janë transformuar në praktika dhe realitete të përditshme. Në këtë kuptim, SHENJA mund të konceptualizohet si një hapësirë diskursive, në të cilën temat nuk trajtohen në mënyrë sipërfaqësore, sipas logjikës së gazetarisë së përditshme, por përmes një analize të thelluar, të mbështetur në ndërthurjen e përvojës empirike me reflektimin kritik, si dhe në një kapital të konsoliduar intelektual.

Për shumë autorë dhe lexues, kjo revistë ka funksionuar si një tribunë e mirëfilltë e mendimit kritik, një hapësirë diskursive në të cilën kanë gjetur artikulim ide dhe perspektiva që shpesh kanë mbetur jashtë diskursit dominant mediatik. Pikërisht ky dimension përbën një nga funksionet themelore të një mediumi serioz: jo thjesht riprodhimin e mendimeve tashmë të modeluara, por krijimin e kushteve për debat, reflektim dhe problematizim kritik të realitetit shoqëror.

Për vetë autorin, shkrimi nuk reduktohet në një akt të thjeshtë publikimi, por përbën një proces të vazhdueshëm njohjeje dhe interpretim të kohës në të cilën jeton. Çdo tekst përfaqëson një moment të këtij procesi: një përpjekje për të artikuluar një pozicion, për të propozuar një kornizë interpretative ose për të hapur një problematikë të re analitike. Në këtë kuptim, shkrimi shndërrohet në një praktikë refleksive që ndërmjetëson marrëdhënien midis individit dhe realitetit shoqëror.

Si çdo ndërmarrje editoriale, edhe kjo revistë ka ndjekur ciklin e vet të jetës, të kushtëzuar nga konteksti historik dhe shoqëror në të cilin është formësuar. Megjithatë, përmbyllja e një projekti të tillë nuk nënkupton fundin e ndikimit të tij intelektual. Idetë, debatet dhe kornizat interpretative të artikuluara në faqet e saj vazhdojnë të qarkullojnë dhe të riprodhohen në forma të tjera – në botime shkencore, në platforma të reja mediatike dhe, mbi të gjitha, në vetë strukturën e kulturës së debatit publik.

Në këtë prizëm, një revistë e tillë mund të konceptualizohet si një formë e memories intelektuale kolektive, një arkiv dinamik i mendimit që dokumenton dhe njëkohësisht formëson mënyrën se si një shoqëri e kupton veten në një periudhë të caktuar historike. Për rrjedhojë, përmbyllja e këtij kapitulli editorial shndërrohet në një moment reflektimi mbi kapitalin simbolik dhe intelektual të akumuluar gjatë këtij rrugëtimi.

Kjo përvojë dëshmon se një medium i tillë, kur arrin ta tejkalojë funksionin e tij kronikal, shndërrohet në një aktor të historisë së mendimit. Ai nuk mbetet vetëm dëshmi e kohës së tij, por bëhet pjesë përbërëse e procesit përmes të cilit kjo kohë kuptohet dhe interpretohet.

Fakti që kjo revistë jo vetëm mbijetoi, por edhe konsolidoi një identitet të qartë intelektual për një periudhë pesëmbëdhjetëvjeçare, dëshmon për kapacitetin e saj për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme me lexuesin dhe për të prodhuar një diskurs me relevancë afatgjatë.

Në vazhdën e elaborimit të dhënë si konstatim më bazik, në prag të një shkëputje eventuale të kësaj  tradite mund të thuhet se një projekt editorial mund të përmbyllet si formë institucionale, por mendimi që ai ka gjeneruar nuk mbyllet bashkë me të. Përkundrazi, ai vazhdon të jetojë si pjesë e një tradite më të gjerë reflektimi. Për këtë mision, për mua në fillim të pamundur, meritat u takojnë nismëtarëve, bartëseve, përkrahësve dhe kontribuuesve dhe gjithë atyre që publiku nuk i njeh, por e kanë mbështetur këtë projekt me vlerë, pa dyshim, kombëtare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button