Pesë ton marihuanë të sekuestruara në Serbi, Prokuroria e Maqedonisë së Veriut hap hetim për rastin

Prokuroria në Maqedoninë e Veriut ka hapur një rast lidhur me sekuestrimin e pesë tonëve marihuanë në Serbi, për të cilën mediat serbe raportuan fillimisht se ishte siguruar nga territori i RMV-së.
“Prokuroria ka hapur rast dhe po ndërmerren veprime konkrete, të drejtuara dhe të koordinuara për të verifikuar të gjitha faktet dhe rrethanat lidhur me përfshirjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në këtë rast, me qëllim sigurimin e përgjegjësisë penale të plotë,” thanë nga Prokuroria për Radio Evropa e Lirë.
Sipas Prokurorisë, që më 30 janar, ata janë informuar në kohë për aksionin në Serbi dhe menjëherë kanë ndërmarrë veprime brenda kompetencave ligjore.
U krijua menjëherë një komunikim intensiv dhe i vazhdueshëm me autoritetet serbe, me shkëmbim aktiv të informacionit dhe koordinim të veprimeve, për të zbuluar të gjithë të përfshirët dhe eventualisht strukturat e organizuara kriminale të lidhura me rastin e sekuestrimit të pesë tonëve marihuanë, sipas përgjigjes së Prokurorisë për REL.
Më parë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut kishte njoftuar shkurtimisht se po ndërmerren “masa dhe veprime operative-teknike të përshtatshme sipas kompetencave policore”.
Pesë tonët marihuanë u sekuestruan më 29 janar në rajonin e fshatit Konjuh pranë Krushevcit, në Serbinë qendrore. Policia serbe e vlerësoi këtë sekuestrim si më të madhin në historinë e vendit, ndërsa vlera e drogës llogaritet nga shtatë deri në dhjetë milionë euro. Gjykata e Lartë në Beograd caktoi paraburgim për tre persona.
Prokuroria serbe ka kërkuar lëshimin e urdhrit të arrestimit, përfshirë edhe atë ndërkombëtar, për të dyshuarin Aleksandar Mijajlloviç, i identifikuar si organizator i grupit kriminal të organizuar dhe që aktualisht është në arrati.
Mes të përfshirëve në hetim është edhe një person me inicialet I.D., i cili, sipas raportimeve mediatike, është bashkëpronar i kompanisë “Alphafarm” në rajonin e Shkupit, e regjistruar për prodhimin dhe përpunimin e kanabisit mjekësor.



