Pesë të plagosur në aksidentin e mbrëmshëm tek “Spitali i Qytetit”

Pesë persona janë lënduar, prej të cilëve një më rëndë, në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi mbrëmë në qendër të Shkupit, në kryqëzimin e rrugëve “11 Tetori”, “Dame Gruev” dhe “Filipi i Dytë i Maqedonisë”.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, aksidenti është raportuar më 19 prill rreth orës 21:15, kur një veturë “Volkswagen Golf” me targa të Shkupit, e drejtuar nga 18-vjeçari A.N. nga Shkupi, është përplasur me një veturë “BMW” me targa çeke, e drejtuar nga T.K. (24) nga Struga.
Nga përplasja, lëndime të rënda trupore ka pësuar 20-vjeçari S.J. nga Shkupi, pasagjer në veturën “BMW”. Lëndime trupore kanë pësuar edhe të dy shoferët, si dhe dy vajza – A.F. (20) dhe M.R. (19), pasagjere në “Volkswagen”, të gjitha nga Shkupi. Të lënduarit janë transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “Shën Naum i Ohrit”, ku u janë konstatuar plagët.
“Njësia hetimore nga SPB Shkup ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit,” njoftojnë nga MPB.