Përvjetori i MO-së koalicionin opozitar e gjeti me një identitet të papërcaktuar

24-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit (MO), koalicionin opozitar e gjeti me një identitet të papërcaktuar. Ndërsa tani thirren si Aleancë Kombëtare për Integrim, në mbledhjen e tyre të fundit u panë të mungonin një pjesë e figurave shqiptare, sikurse vetë partneri më i ri i këtij koalicioni Arben Taravari apo kreu i PDSH-së Menduh Thaçi. Nga ana tjetër, pavarësisht se quhen Aleancë Kombëtare, në foltore dolën edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Boshnjakëve Munir Kollashinac dhe deputeti i Lëvizjes së Turqve të Maqedonisë Sali Murat, ndërkohë mungonte Partia Demokratike e Turqve por edhe Unioni i Romëve të cilët prej kohësh, besohet se e kanë braktisur koalicionin e thirrur më herët Front Evropian.
Në Akademinë Solemne për 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, kreu i BDI-së Ali Ahmeti u shoqërua edhe nga Kreu i ASH-së Ziadin Sela, kreu i partisë Populli Skender Rexhepi, ai i Partisë Demokratike Evropiane Arjanit Hoxha dhe përfaqësues të ASH-së së Taravarit.
Ky ribrendim vjen në prag të zgjedhjeve lokale. Deri sa në zgjedhje parlamentare dhe presidenciale motoja e frontit evropian ishte “Jo Rusisë, pro Evropës”, në zgjedhjet lokale retorika duket të jenë më nacionaliste.
Ahmeti nga foltorja, duke folur për Marrëveshjen e Ohrit, u bëri thirrje përfaqësuesve politik maqedonas të mos bashkohen kundër shqiptarëve sepse do të jenë humbës.
“Të mos bëhen bashkë me platforma kundër shqiptarëve se nuk i bëjnë mirë kombit të vet, se neve si shqiptarë nuk ka kush që të na kthejë pas. Neve si shqiptarë nuk ka kush që mundet të na e heqë dhe të na e zhbëjë flamurin tonë kombëtar, universitetet tona, përfaqësimin tonë, gjuhën tonë, pavarësisht sa Gjykata Kushtetuese mund të kenë këtu”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Zotime të improvizuara në prag të zgjedhjeve ka pasur edhe vitin e kaluar. Fronti Evropian i atëhershëm, në një seancë të improvizuar shkoi më tej, duke zgjedhur madje kryetar kuvendi Ziadin Selën, bëri ndryshimet kushtetuese dhe miratoi zgjedhjen e Presidentit në Kuvend, me Badenter.
“U zgjodh z. Ziadin Sela kryetar i Kuvendit, u bënë ndryshimet kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen për Fqinjësi të mirë si dhe u bënë ndryshimet kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit nga vitit 2029 ku Presidenti do të zgjidhej në Kuvend me 2/3 e votave të deputetëve dhe me Badenter”. Deklaroi Artan Grubi, BDI.
Fronti Evropian u formua në muajt e parë të vitit 2024, si koalicion për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit të kaluar. BDI-ja për herë të parë lidhi marrëveshje me parti të etnive të tjera duke e quajtur atë si një koalicion pro integrimit të vendit. Në qershor të këtij viti, koalicioni filloi ta quaj veten Fronti Kombëtar për të kaluar dy muaj më vonë në Aleancë Kombëtare për Integrim.
Përshtatja bëhet varësisht retorikës së mometit dhe nevojave të fushatës që koalicioni ndjek. /Alsat.mk