Përveç një rruge me emrin Trump, çka parasheh marrëveshja e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë?

Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit nënshkruan të premten në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje paqeje, në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA, e cila i jep fund dekadave të konfliktit.
Të dy vendet e Kaukazit Jugor nënshkruan marrëveshje mes tyre, si dhe me SHBA-në, përmes të cilave do të rihapen rrugët kryesore të transportit, ndërkohë që SHBA-së do t’i jepet mundësia të shfrytëzojë ndikimin në rënie të Rusisë në rajon.
Marrëveshja përfshin krijimin e një korridori kryesor tranzit, i cili do të quhet “Rruga Trump për paqe dhe mirëqenie ndërkombëtare”, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti amerikan, Donald Trump tha se emërtimi i rrugës me emrin e tij ishte “një nder i madh për të”, por se nuk e kishte kërkuar vetë këtë.
Një zyrtar i lartë i administratës, gjatë një bisede telefonike me gazetarët para ngjarjes, tha se ishin armenët ata që propozuan emrin.
Korridori Zangezur: Një rrugë 32 kilometra përmes Armenisë që lidh Azerbajxhanin me Nakhchivanin.
Detajet e marrëveshjes së paqes të ndërmjetësuar nga SHBA mes Armenisë dhe Azerbajxhanit:
SHBA merr të drejta ekskluzive zhvillimi për 99 vjet, e quajtur “Rruga Trump”.
Njohje formale, punë për përcaktimin e kufijve dhe planifikim për hapjen e ambasadave.
Investime nga SHBA, heqje e sanksioneve ndaj Azerbajxhanit dhe afrimi i Armenisë me lidhje ushtarake perëndimore.
Mbrojtje për armenët etnikë në Karabak, dhe mundësim i kthimit të tyre.
Çështje të pazgjidhura: Demarkimi i kufirit, shkëmbimi i të burgosurve, zbatimi i marrëveshjes.
Ndikimi gjeopolitik: Dobëson ndikimin rus, forcon rolin e SHBA-së dhe Turqisë.
Ndryshe, nënshkrimi i marrëveshjes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, të dyja ish-republika sovjetike, i jep gjithashtu një goditje gjeopolitike ish-sundimtarit të tyre perandorak, Rusisë.
Gjatë konfliktit gati katër dekadash, Moska luajti një rol si ndërmjetës për të zgjeruar ndikimin në rajonin strategjik të Kaukazit të Jugut, por ndikimi i saj ra shpejt pasi nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.



