Përveç autoambulancave, RMV-së i mungojnë edhe 52 ekipe mjekësore
Maqedonia aktualisht ka 258 ekipe të ndihmës emergjente mjekësore dhe ky numër, në vend që të rritet, çdo vit po zvogëlohet, thuhet në hulumtimin e Qendrës për Komunikim Civil (CGK). Krahasuar me vitin 2015, kur u miratua dekreti i fundit që përcakton numrin minimal të ekipeve që duhet të ketë çdo qendër shëndetësore, numri i ekipeve të urgjencës është ulur për 22 ekipe, raporton SDK.
Sipas Urdhëresës për rrjetin e ndihmës mjekësore urgjente, çdo qendër shëndetësore që mbulon deri në 30,000 banorë duhet të ketë të paktën 5 ekipe të ndihmës mjekësore emergjente. Nëse, nga ana tjetër, qendra shëndetësore mbulon më shumë se 30,000 banorë, atëherë duhet të ketë të paktën një ekip më tepër për çdo 10,000 banorë shtesë.
Pra, aktualisht ka 52 ekipe mjekësore të urgjencës që nuk plotësojnë minimumin ligjor dhe thuajse gjysma e 33 qendrave shëndetësore të vendit kanë më pak ekipe sesa nevojiten. Më së shumti, apo 18, mungojnë në Shkup, ndërsa në Tetovë mungojnë 10 ekipe për të arritur minimumin e kërkuar. Kumanovës dhe Strugës i mungojnë nga pesë ekipe mjekësore.
Tetova ka një të punësuar për 4172 banorë, ndërsa Shkupi dhe Kumanova, kanë nga një të punësuar për më shumë se tre mijë banorë dhe kjo i fut në listën e rasteve më serioze me mungesë të ekipeve emergjente mjekësore. Për krahasim, mesatarja në vend është 1350 banorë për një punonjës në shërbimin e urgjencës mjekësore. Një ekip zakonisht përbëhet nga një mjek, një infermiere dhe një shofer.
Përveç në Shkup, ku janë 9 ekipe në një turn, në të gjitha qytetet e tjera ka vetëm një ose dy ekipe në një turn, përveç Manastirit ku janë gjithmonë 3.
Shkupi, si qendra më e madhe shëndetësore, ka edhe më së shumti intervenime të shërbimit emergjent mjekësor – rreth 150.000 në vit ose 404 mesatarisht në ditë. Por nga të gjitha qytetet e tjera, sipas numrit të intervenimeve, del Velesi, ku në vitin 2022 ka pasur 59 mijë ndërhyrje ose mesatarisht 162 ndërhyrje në ditë.