Përplasjet e para mes Muskut dhe mbështetësve të Trumpit
Një muaj e gjysmë pas fitores së republikanit Donald Trump në zgjedhjet për president të Shteteve të Bashkuara, kanë dalë në pah mosmarrëveshjet e para midis mbështetësit të tij, multimiliarderit Elon Musk dhe mbështetësve të tjerë të liderit të ardhshëm amerikan.
Në ditët e fundit, në hapësirën publike të Shteteve të Bashkuara është ndezur debati mbi vizat për punëtorë të huaj të kualifikuar. Disa individë kanë akuzuar miliarderin se po përdor rrjetin e tij social, X, për të sulmuar ata që janë kundër programit të vizave të quajtur H-1B.
Vetë Trump, inaugurimi i të cilit si president pritet muajin tjetër, nuk e mbështet këtë program vizash, ndonëse ky është i pranueshëm për Muskun, të cilin Trump e ka emëruar në krye të Departamentit për Efiçiencë Qeveritare (DOGE). Në këtë departament ndodhet edhe biznesmeni Vivek Ramaswamy, i cili gjithashtu mbështet H-1B.
Musk mendon se ky program është i domosdoshëm për t’i siguruar kompanive teknologjike punëtorë të huaj dhe për t’i bërë ato më konkurruese, shkruan cnn.
“Nëse doni që ekipi juaj të fitojë kampionatin, duhet të punësoni talentet më të mira kudo që ndodhen. Punësimi përmes emigracionit të ligjshëm të 0.1 përqindëshit më të mirë të talenteve inxhinierike është thelbësor që Amerika të vazhdojë të fitojë”, ka shkruar Musk në X.
Njeriu më i pasur në botë, për këto qëndrime, është kritikuar nga e djathta ekstreme. Ndër kritikat nuk ka munguar as ajo e organizatës ekstremiste Loomer, e cila ka akuzuar Musk se u ka hequr verifikimin e llogarive në X, duke e cilësuar këtë një sulm ndaj lirisë së fjalës.