Përplasje mendimesh në Shqipëri për investimet e planifikuara të dhëndrit të Trumpit

Për Qeverinë e Shqipërisë, investimet e pritshme të sipërmarrësit amerikan, Jared Kushner, në bregdetin shqiptar janë një mundësi “e artë”, për opozitën është shqetësuese, siç thotë ajo, mungesa e transparencës, ndërsa për ekspertët mjedisorë rrezikohet fauna detare.
Kushner, dhëndër i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, publikoi në fund të javës së kaluar në rrjetin X pamje nga projektet që ai synon t’i realizojë në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, në jug të Shqipërisë.
Ai tha se është afër finalizimit të disa marrëveshjeve të mëdha për pasuri të paluajtshme në Shqipëri, por dhe në Serbi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i komentoi këto plane gjatë një takimi të Partisë së tij Socialiste, që u mbajt të dielën:
“Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri”.
“Po ata që na tregonin Malin e Zi për zhvillimin e turizmit dhe investimet e huaja direkte, sot na flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe”, tha Rama.
Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga Ministria e Turizmit e Shqipërisë në lidhje me këtë temë, por nuk mori përgjigje.
Në deklaratën dhënë Zërit të Amerikës, kjo ministri konfirmoi shkurtimisht aplikimin e kompanisë së Kushnerit për projektin në ishullin e Sazanit, por tha se nuk është në dijeni për projektin për Zvërnecin.
Ndryshimet ligjore për hir të zhvillimit
Shqipëria, pak javë më parë, miratoi ndryshimet në Ligjin për zonat e mbrojtura, të cilat u hapin rrugë ndërtimeve në to të hoteleve apo projekteve të tjera që konsiderohen me rëndësi strategjike.
Ndryshimet u miratuan në seancën e 22 shkurtit në Kuvend, me vetëm votat e shumicës.
Tani, është në duart e presidentit të Republikës, Bajram Begaj, nëse do t’i miratojë ato, apo do t’i kthejë për rishikim në Kuvend.
Për opozitën shqiptare, marrëveshja për investimet nga Kushneri, që nuk është finalizuar ende, tregon se këto ndryshime në ligj kanë qenë “të porositura”.
“Nuk pati asnjë diskutim publik, asnjë konsultim për të treguar se një investitor me një emër të madh po vjen në Shqipëri”, thotë Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, për Radion Evropa e Lirë.
“Nuk dimë asgjë se sa është investimi, cili është ndikimi në ekonomi, sa vende pune do të hapen? Pse nuk na u tha që ky investim i këtij niveli kërkon ndryshime në një paketë ligjesh, sepse është në interes të vendit, por e mësuam nga media? Ne jemi një vend që shpreson t’i bashkohet Bashkimit Evropian, ndaj duhet të ketë konkurrencë dhe transparencë”, thotë Tabaku.
Edhe për Erisa Xhixhon, deputete e Partisë së Lirisë, mungesa e transparencës “nuk është normale”.
“Përmes medias mësojmë se Jared Kushner do të investojë në Sazan dhe Zvërnec – pa pikë transparence”, shprehet ajo, duke paralajmëruar edhe padi në Gjykatën Kushtetuese për ndryshimet në Ligjin për zonat e mbrojtjes.
“Ligji është antikushtetues, në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit [me BE-në] dhe të konventave ku Shqipëria është palë”, sipas saj.
“Shpresoj që presidenti të ngrihet në lartësinë e detyrës, duke e kthyer këtë ligj, në të kundërtën do t’i drejtohemi Kushtetueses”, thotë Xhixho.
Këtyre deklaratave u bën jehonë edhe Tabaku, duke pyetur, po ashtu, nëse ligji u ndryshua “me qëllim që të përfitonte ky investitor”.
“A përfiton ky investitor apo edhe të tjerë? Sepse, në një nga mbledhjet e Komisionit të Ekonomisë na u tha se janë 14 projekte, por nuk dihet se për çfarë bëhet fjalë”, thotë Tabaku.
Ekspertët e mjedisit: Projekti rrezikon shpendët
Disa ekspertë të mjedisit shprehin shqetësime, po ashtu. Ata kanë hartuar një peticion, të cilin ia kanë dërguar presidentit të Shqipërisë, Begaj, bashkë me argumentet e tyre se përse ky ligj nuk duhet dekretuar.
Në mesin e grupit që bëri peticionin, është edhe Mirjan Topi, inxhinier mjedisi.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se Zyra e Begajt është duke e shqyrtuar peticionin e ekspertëve.
Sipas Topit, zona tokësore e ishullit të Sazanit nuk është zonë e mbrojtur, por kufiri ujor rreth ishullit është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Sazan-Karaburun.
“Ndërtimi, zhurmat, pluhuri, problematika e mundshme me ujërat e zeza do ta rrezikojnë faunën detare. Zona e Sazanit është habitat i njohur për fokën e Mesdheut – lloj i rrezikuar në nivel global”, thotë Topi. /REL/



