Përplasja për dokumentet: Ministri ia kthen fjalën kryeministrit

Me të qeshur dhe me kërkesën që të punojnë më shumë e të flasin më pak, kryeministri Talat Xhaferi iu kundërpërgjigj ironisë së djeshme të Ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski, i cili u tregua i gatshëm t’i sigurojë Xhaferit dhe Osmanit një sportel në MPB për t’i fotografuar qytetarët për pasaporta.
…t’i ofrojë z.Xhaferi një vend në zyrat e MPB-së…
-Ata le të punojnë pak më shumë sesa të flasin, aq sa flasin, kështu që ironinë le ta mbajë për vete, s’ka gajle, th Talat Xhaferi, kryeministër teknik.
E deklaratën e Xhaferit se qytetarët kanë kohë deri në zgjedhje për të nxjerrë dokumente me emrin e ri të shtetit, ministri Toshkovski, sot e quajti joserioze dhe se nuk ka kohë të mjaftueshme siç mendon Xhaferi. Me mos ndryshimin e ligjit, sipas Toshkovskit, qytetarëve do t’u shkelet e drejta e votës, pasi një herë u shkel e drejta e lëvizjes së lirë.
“Joserioze, veçanërisht duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për nevojë për vërtetim në përputhje me ligjin për mundësinë që me dokumentet e udhëtimit me emrin e vjetër me datë të vlefshme deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve që qytetarët e Maqedonisë ta ushtrojnë të drejtën e votës. Nuk i kemi 50 ditët për të cilat fliste kryeministri. Pse? Sepse më 18 mars mbyllet lista e zgjedhësve dhe deri në atë ditë nëse nuk ka ndryshim të plotfuqishëm të zgjidhjes ligjore, qytetarëve do t’u shkelet një e drejtë e dytë njerëzore”, tha Pançe Toshkovski, ministër teknik për Punë të Brendshme.
Toshkovski tha se shpreson se si kryeministri, po ashtu edhe deputetët e LSDM-së dhe BDI-së, do të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe do ta mbështesin nismën e VMRO-DPMNE-së për ndryshimet ligjore me të cilat mbi 100 mijë qytetarëve nuk do t’u mohohej e drejta e votës. /Tv21/



