Përplasja me Trumpin, liderët evropian mbështesin Zelenskyn: Nuk jeni vetëm

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk i ka dhënë mbështetje publike presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky pas takimit të tensionuar që ky i fundit ka pasur me presidentin amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidentin e tij, J.D. Vance në Shtëpinë e Bardhë sipas mediave ndërkombëtare
Tusk e ka shprehur mbështetjen përmes një postimi të shkurtër në rrjetin social “X”:
“Të dashur miq ukrainas, ju nuk jeni vetëm” ka shkruar ai.
Gjithashtu reagoi edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron.
Pas përfundimit të takimit, Macron shkroi në Twitter: “Rusia është agresori dhe Ukraina është viktima e agresionit. Ishim të drejtë kur e ndihmuam Ukrainën dhe vendosëm sanksione ndaj Rusisë tre vjet më parë – dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë.”
Shtëpia e Bardhë mohoi raportimet se presidenti Zelensky u largua pas një debati të ashpër me presidentin Trump, duke deklaruar se ishte Trump ai që përzuri Zelenskyn.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë deklaroi për mediat amerikane se presidenti Trump vendosi t’i japë fund takimit pasi nuk u arrit një konsensus mbi marrëveshjen e propozuar.
Takimi kishte për qëllim arritjen e një marrëveshjeje që do t’i siguronte SHBA-së qasje në mineralet e rralla të Ukrainës, në këmbim të ndihmës ekonomike prej 500 miliardë dollarësh.
Megjithatë presidenti Zelensky refuzoi propozimin, duke deklaruar se “nuk mund ta shesë vendin e tij” dhe se ishte i gatshëm të punonte për një “dokument serioz” vetëm nëse SHBA do të jepte garanci sigurie.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur administrata Trump ka ndryshuar politikën e saj ndaj Ukrainës, duke i dhënë fund izolimit mbi trevjeçar që u nxit nga agresioni i paprovokuar i Rusisë.
Analistët vlerësojnë se dështimi i këtij takimi mund të ndikojë në marrëdhëniet SHBA-Ukrainë dhe në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë.