Përpjekjet për një terminologji shqipe në Qeverinë e Vlorës

Deri më 1912, gjuha e veprimtarisë së fushave administrative, juridike etj., ishte turqishtja. Kjo gjendje vazhdoi, me leje të qeverisë shqiptare, deri në fillim të Luftës së Parë Botërore, pasi që legjislacioni dhe fjalori juridik ishin turqisht dhe gjyqtarët shqiptarë nuk ishin në gjendje ta ushtronin atë veprimtari tërësisht në gjuhën shqipe.

Abdurrahim MAXHUNI, Prishtinë

Zhvillimi i gjuhës shqipe, në përgjithësi, e i terminologjisë shqipe, në veçanti, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare u gjallërua, duke u rritur në sasi dhe në cilësi. Terminologjia erdhi duke u zgjeruar në të gjitha fushat, në njërën anë duke u përhapur në gjerësi për t’u bërë pronë jo vetëm e njerëzve të shkolluar, por edhe e popullit dhe në thellësi, për t’i plotësuar në mënyrë të kënaqshme nevojat që shtroheshin përpara një gjuhe të përpunuar dhe të përparuar. Kjo krijoi mundësi të mira dhe lehtësira në përdorimin e saj në jetën shoqërore, si në diplomaci, në shtyp, në letërsi, në administratë e në përkthime. Përpunimi e zhvillimi i terminologjisë shqipe vazhdoi edhe më tutje. Një kahe të mirë në rrugën e përvijimit u bë me rastin e shpalljes së Pavarësisë dhe me formimin e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Me pavarësimin e Shqipërisë nis një etapë tjetër në zhvillimin e gjuhës shqipe, sikurse nis edhe përpunimi e zhvillimi i terminologjisë në disa fusha të rëndësishme të veprimtarisë tekniko-shkencore, në veçanti në fushën politike-ushtarake, administrative-zyrtare, juridike-shtetërore, shkollore, e asaj të shtypit, sepse në këtë kohë nevoja për terma të rinj u shtua dukshëm. Krijimi i Qeverisë së Përkohshme, në mënyrë që të kryente funksionet e saj në shtetin e ri, u përball me nevojat e reja të shoqërisë shqiptare për një leksik sa më të pasur e funksional. Një nga elementet thelbësorë të gjuhës zyrtare është terminologjia e veprimtarisë shtetërore, d.m.th. e administratës civile, e drejtësisë, e arsimit, e shërbimit postar dhe e ushtrisë. Në shtypin e kohës Qeveria botoi vendimin mbi caktimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe hapjen e shkollave shqipe prej shtatori 1913, vendim i cili ishte i një rëndësie të veçantë për zhvillimin e gjuhës shqipe “Pas dëshirës dhe në emër të Zotënisë së tij Kryetarit të Qeverisë, botojmë këtë lajmim: Duhet që të gjithë ta dijnë mirë se ç’në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u bë gjuha zyrtare e vendit.”. Qeveria e Vlorës ngriti komisione të posaçme për terminologjinë, të cilat në ato kushte të vështira bënë një punë të kënaqshme, që u vijua më pas nga Komisia Letrare Shqipe e mbledhur në Shkodër dhe nga organizmat shtetërore, kur u mëkëmb shteti shqiptar. Dokumentet e Qeverisë së përkohshme botoheshin në gazetën shtetërore “Përlindj’ e Shqipëniës” dhe aty mund të hetohen termat e asaj kohe: çatdhesim, dorëzanës, dorëzani, dhunëvrasje, kryeqeveritar, nënkryetar, mëvetësi, zgjedhëtar etj. Po në këtë gazetë, nën titullin ‘Skanjet teknike’, u hapën edhe diskutimi për njësimin e terminologjisë ku morën pjesë filologë e specialistë të njohur të fushës, Xhuvani, Konica, Floqi, Çerkezi etj. Nga vëzhgimet e bëra në gazetat e kohës “Albania” dhe “Korça”, dalin mjaft terma nga fusha e leksikut politik të kësaj kohe, si: atdhetarizëm, kombdashës, kryeheqës, letërshpallje, mitingas, përparavajtës, qajtore, trubullimtar etj. Për shkak të nevojës së menjëhershme për zgjidhjen e çështjeve së terminologjisë dhe emërtesave të plota në disa fusha kryesore, në Vlorë u ngrit një komision, për terminologjinë ushtarake. Gazeta “Zgjimi” në Korçë botoi, më 1913, një terminologji ushtarake me 315 fjalë, të punuar nga ky komision. Pastaj nisën të botoheshin dhe glosarë shqip-turqisht e shqip-frëngjisht.

Deri më 1912, gjuha e veprimtarisë së fushave administrative, juridike etj., ishte turqishtja. Kjo gjendje vazhdoi, me leje të qeverisë shqiptare, deri në fillim të Luftës së Parë Botërore, pasi që legjislacioni dhe fjalori juridik ishin turqisht dhe gjyqtarët shqiptarë nuk ishin në gjendje ta ushtronin atë veprimtari tërësisht në gjuhën shqipe.

Lufta e Parë Botërore solli ndryshime të mëdha në hapësirat shqiptare. Pjesa më e madhe e territorit shqiptar hyri nën administrimin e Austro-Hungarisë, administrim nga i cili përfituan shqiptarët dhe pati lëvizje pozitive në fushën e arsimit, e si rrjedhojë edhe në fushë të terminologjisë. Administrata e austro-hungareze formoi një komision letrar për të kodifikuar gjuhën shqipe për nevojat e përdorimit zyrtar, nga e cila u formua edhe komisioni për të përcaktuar terma nga fusha e administratës e nga fusha ushtarake. Kjo njihet me emrin Komisia Letrare e Shkodrës, meqë qendra e kësaj administrate u vendos në Shkodër. Punën që kishte nisur Qeveria e Vlorës, për ta pasur një terminologji shqipe, dha rezultate më konkrete tek në këtë organizim, ndonëse me disa vjet në mes. Prof. Lafe thekson se një nga elementet thelbësorë të gjuhës zyrtare është terminologjia e veprimtarisë shtetërore, d.m.th. e administratës civile, e drejtësisë, e arsimit, e shërbimit postar dhe e ushtrisë. Qeveria e Vlorës ngriti komisione të posaçme për terminologjinë, të cilat në ato kushte të vështira, bënë një punë të lavdërueshme, që u vijua më pas nga Komisia Letrare Shqipe e mbledhur në Shkodër dhe nga organizmat shtetërore, kur u mëkëmb shteti shqiptar. Është e kuptueshme se ndryshimet e mëdha nuk bëhen brenda natës, por duhen ide, angazhime e qëndrime, veçanërisht kur kemi parasysh kohën e gjatë të përdorimit të turqishtes si gjuhë zyrtare në hapësirat shqiptare. Për punën që duhej bërë, për hartimin e termave të fushave të ndryshme të veprimtarisë juridike, administrative etj., Komisia diskutoi qysh në mbledhjet e para, ku thuhej se Komisisë i ra barrë e rëndë për të gjetur në gjuhën shqipe sasi të mëdha fjalësh teknike që u përkthyen prej turqishtes. Në parimet e punës së Komisionit u përcaktuan disa rrugë, si: të mënjanoheshin termat e huaj, duke përdorur fjalët që fliten në viset e Shqipërisë, porse të dihen se janë shqipe dhe të kenë kuptimin e nevojshëm; të kihej kujdes në formimin e termave të rinj: të pranoheshin termat ndërkombëtarë; të shfrytëzohej pasuria e shqipes për të krijuar terma me kuptim të qartë.

Kjo nismë mund të quhet e para e bërë në mënyrë të organizuar në historinë e terminologjisë shqipe, ndonëse studiuesit të ndryshëm (Feka) shprehen se në periudhën 1912-1944 nuk u bë ndonjë punë e rregullt dhe sistematike për pasurimin dhe spastrimin e terminologjisë. Nëse ka pasur ndonjë zhvillim në fushën e terminologjisë, sipas tyre, kjo u bë në saje të punës së individëve të veçantë, dashamirë të gjuhës. Gjatë kësaj kohe puna për pasurimin e terminologjive të veçanta ishte kurdoherë duke u nisur nga nevojat e ngutshme të praktikës, pa u mbështetur në baza të shëndosha shkencore ose kritere unike. Ndërsa të tjerë mendojnë (Dodbiba) se ka pasur edhe ndihmesa kolektive gjatë këtyre viteve deri në Kongresin e Lushnjës, veçanërisht për terma nga fusha e gjuhësisë: asht e dijtun se terminologjia jonë gjuhësore nuk asht vetëm rezultat i krijimtarisë vetjake; nji farë roli me randësi do të ketë luejtë edhe kolektivi i pedagogëve të shkollës së parë normale (1909) si dhe Kongresi Arësimor i Lushnjë (gusht 1920). Mendimet dalin të jenë të qëndrueshme, sepse puna që del të jetë bërë në dy kongreset nuk ka pasur mbështetje shkencore, sepse terminologjia nuk ishte një shkencë e zhvilluar në aspektin teorik dhe ideja e hartimit të termave ishte thjesht, të kishte një terminologji parasëgjithash shqipe. Por, nëse shohim punën e kongreseve, nga aty kanë dalë punë të organizuara, pra kolektive për terminologjinë. Kjo mund të shihet edhe në procesverbalet e tyre.

Kjo nismë ishte e përbërë nga një komision me dije të arrirë filologjike, e cila dha edhe rezultate në këtë fushë, ndonëse minimale, por shumë të rëndësishme për kohën – i botoi rreth 355 terma nga fusha e drejtësisë dhe e administratës, në numrin 1 të së përkohshmes “Laimet e Komisís Letrare Shqipe në Shkodër”. Komisioni, gjatë punës së shqyrtimit të termave, e pastroi terminologjinë nga turqishtja, ngriti në terma fjalë e shprehje nga leksiku i përgjithshëm (ankim, dorëzanës, dorëzanji, gjzkoj, gjyq, ligj, padis, vendim etj.), krijoi terma të rinj prej leksikut të përgjithshëm (çdamnim, çdamnoj, emnim, emnoj, gjyqtar, ligjërisht, ndërgjyqës, paditës, i pandehun etj.), mori terma nga gjuhët neolatine (akt, apel, argument, dokument, dosje, ekspert, licencë, procedurë, prokuror, sekuestroj, ekzekutim, proces-verbal, regjistër etj.), ndërsa në numrin 2 të kësaj të përkohshme, të quajtur skaje gramatikore, u botuan 134 terma, kryesisht nga fusha e gjuhësisë, që do të përdoreshin në të ardhmen, e që realisht edhe sot pjesa dërrmuese janë terma të njësuar. Termat nga fusha juridike e administrative u mbështetën në turqishten, duke dhënë edhe gjegjëset në gjuhën shqipe, ndërsa për termat gjuhësor u përcollën me gjegjëset e tyre nga latinishtja dhe gjermanishtja, si: gramatikë, drejtshkrim, shkronjë, germë, zanore, bashkëtingëlluese, ushtrim, rrokje, thekës, shqymë, njajzim, hiezë, vizë, pikë, emën, rrajë, skaj, mbaresë, nyjë, prirje, folje, ndëfjalës, pjesë të ndrrueshme, pjesë të pandrrueshme, folje të rregullshme, folje të parregullshme, paraprise, thirrmë etj.

Po sjellim disa nga termat e Komisis dhe gjegjëset e tyre nga turqishtja: abstrakt,-i për muxheredafat, -i për vadeakt, -i për name-evrakakt-davaje për ikameti dava verekasiakt-kallzimi për ihbarnameakt-paqtimi për sulhnameakt-përfaqësimi për veqaletnameanket, -i për tahkikaapel, -i për istinafargument, -i për delilauktoritet, -i për huqumetmulqiasqeriauktorizoj për musaderuhsat vermekbanim, -i për ikamet zija syqnabetim, -i për tahlifborxh, -i për deinzimmetborxh publik (botuer) për dyjyn umumijeburg, -u për hapsburgim, -i për mahbusijetçeshtj|e, -a për masllahatdallim, -i për temjiz, dâm, -i për zarardetyr|ë, -a për vazifedënim, -i për texhzijediftoj për tarif itmek-irae, dij|e, -a për malumatgjykim, -i për hyqumgjykoj për hyqum vermekgjyq, -i për mehqemegjyqtar, -i për haqimkallxim për ihbarkaptin|ë, –a për fasëlkërkim, -i për teharijetkompetenc|ë, -a për vazifeligj|ë, -a për kanunligjërisht për kanunen, lirim, -i për tahlije, mandatë-reshtimi për tevkif muzaqeresi, mashtrim, -i për igfal, mbledhës të hollash për tahsildar, mjeshtri, -ja për zanat, moral, -i për ahlak, mungesë (në) për giabën, nderoj për hurmet etmek, oficier për zabit, padi, -ja për dava, shiqajet, padis për ikamej dava, paraqitje për ibraz, përfaqsoj për tevqil etmek, procedur|ë, -a për usul, protokol, -i për esas tefteri etj.

Në fund të këtij punimi të shkurtër mund të themi se Qeveria e Përkohshme e Vlorës dha një ndihmesë të çmuar në fushën e gjuhës dhe ndërmori nisma në fushën e terminologjisë, ndonëse për rrethanat historike, për jetëgjatësinë e saj të shkurtër, të arriturat e saj në këtë fushë ishin të kënaqshme, sepse akoma shqipja nuk e kishte marrë statusin e vendin e saj në komunikime zyrtare. Në dokumente që i drejtoheshin Qeverisë së Përkohshme të Vlorës përdorej gjuha shqipe, ndërsa në ato dalëse, pra të krijuara e të shpërndara prej kësaj qeverie përdorej gjuha turke. Kjo sigurisht e kishte ndikimin e saj, sepse akoma nuk arrihej shkëputja nga gjuha turke. Përveç angazhimeve të saj e detyrave politike që i dilnin përpara, administrata e re trashëgoi praktikat e rregullimet e tjera procedurale të sistemit qeverisës turk, nga i cili shteti i ri sapo qe shkëputur. Madje, edhe kushtet e punës së kësaj administrate ishin tepër pafavorshme për një qeveri, ku edhe zyrat e ministrive të ndryshme ndodheshin nëpër shtëpitë e disa prej ministrave ose në ato pak godina të përshtatshme në Vlorën e asaj kohe.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button