Përmbytjet lënë mbi 2 mijë të vdekur dhe të zhdukur në Indonezi dhe Sri Lanka, gati 4 milionë të prekur

Përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e dheut në Indonezi dhe Sri Lanka kanë lënë mbi 2 mijë persona të vdekur dhe të zhdukur, transmeton Anadolu.

Përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, stuhitë dhe ciklonet e paprecedentë kanë shkaktuar shkatërrime të gjera në të gjithë Azinë Jugore dhe Azinë Juglindore, ndërsa Indonezia është goditur më rëndë, e ndjekur nga Sri Lanka.

Agjencia kombëtare e menaxhimit të fatkeqësive e Indonezisë tha se deri më tani 995 persona kanë vdekur dhe 226 janë të zhdukur në Sumatra dhe mbi 5 mijë të plagosur, teksa operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar.

Më shumë se 3.2 milionë njerëz janë prekur nga përmbytjet shkatërruese dhe rrëshqitjet e dheut në provincat e goditura nga përmbytjet, përkatësisht Sumatra e Veriut, Sumatra Perëndimore dhe Aceh.

Në Sri Lanka, sipas Qendrës së Menaxhimit të Fatkeqësive, numri i të vdekurve nga cikloni Ditwah është rritur në 640, me 211 persona ende të zhdukur që nga stuhia që goditi më 17 nëntor.

Përmbytjet shkatërruese gjithashtu prekën më shumë se 1.6 milionë njerëz dhe shkaktuan dëme në rreth 110 mijë shtëpi, duke përfshirë mbi 5.700 të shkatërruara plotësisht.

Javën e kaluar, OKB-ja tha se të paktën 185 persona kanë vdekur në Tajlandën jugore, ndërsa 467 të tjerë mbeten të zhdukur. Katër vdekje gjithashtu u raportuan në Indi dhe tre në Malajzi për shkak të kushteve të këqija të motit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button