Përfundon raundi i parë i bisedimeve SHBA-Iran – palët merren vesh për takimin e radhës

Raundi i parë i bisedimeve midis Iranit dhe SHBA-së në Oman ka përfunduar dhe të dy delegacionet janë dakorduar të takohen sërish javën e ardhshme, raporton agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA.
Të dy palët kanë shkëmbyer qëndrimet e tyre mbi programin bërthamor të Iranit dhe mundësinë e heqjes së sanksioneve ndaj Republikës Islamike përmes ministrit të Jashtëm të Omanit, “në një atmosferë konstruktive të bazuar në respektin e ndërsjellë”, sipas raportit të medias shtetërore.
“Pas më shumë se dy orë e gjysmë negociatash indirekte, krerët e delegacioneve iraniane dhe amerikane folën për disa minuta në praninë e ministrit të Jashtëm të Omanit gjatë largimit nga bisedimet”, shtoi IRNA.
CNN ka kontaktuar Departamentin e Shtetit Amerikan për një koment.
Ndryshe, bisedimet e sotme me rëndësi të lartë kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje të re të mundshme bërthamore midis dy vendeve dhe uljen e tensioneve në rajon.
Bisedimet u zhvilluan pas kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump për sulme ushtarake nëse Irani nuk pranon një marrëveshje – dhe paralajmërimit të Teheranit se çdo sulm do ta fuste SHBA-në në një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Trump i ka dhënë Teheranit një afat prej dy muajsh për të pranuar një marrëveshje që do ta çonte Iranin drejt reduktimit të kapaciteteve bërthamore ose eliminimit të plotë të programit të tij.