Përfundojnë përgatitjet për Ramazan në xhaminë më të madhe të Afrikës Perëndimore

Përgatitjet për muajin e Ramazanit kanë përfunduar në xhaminë “Massalikoul Jinaan” në kryeqytetin e Senegalit, Dakar, raporton Anadolu.
Në xhaminë e hapur nga sekti Muridi në vitin 2019, para Ramazanit u pastruan qilimat dhe dyshemetë, u ndërruan altoparlantët dhe u krye mirëmbajtja e sistemit të ndriçimit.
Në “Massalikoul Jinaan”, që do të thotë “rruga për në parajsë” në arabisht dhe e cila është xhamia më e madhe në Afrikën Perëndimore, edhe këtë vit ashtu si çdo vit tjetër gjatë Ramazanit do të organizohen programe iftari çdo ditë.
Në tryezat modeste të përbëra nga sanduiçë, kafe, ujë dhe hurma mijëra njerëz do të çelin iftar së bashku. Kryesuesit e sektit Muridi do të shtrojnë gjithashtu një vakt iftari në xhami për ambasadorët muslimanë në Dakar.
Xhamia, ku namazet e taravive gjatë gjithë Ramazanit do të falen me hatme (leximin e Kuranit nga fillimi deri në fund), pritet të vizitohet nga 25 mijë deri në 30 mijë njerëz në ditë.
Xhamia “Massalikoul Jinaan”
Duke tërhequr vëmendjen me kupolën e saj të zbukuruar që ngjan me Kupolën e Shkëmbit, arkitekturën dhe oborrin e saj që të kujton Mesxhid al-Nabawi, xhamia “Massalikoul Jinaan” u hap për adhurim më 27 shtator të vitit 2019.
Xhamia e ka marrë emrin nga oda “Massalikoul Jinaan”, që do të thotë “rruga për në parajsë” e Sheikh Ahmadou Bamba, udhëheqësi i sektit Muridi dhe është ndërtuar nga shteti në një zonë prej 6 hektarësh në lagjen Colobane për 7 vjet.
Në xhaminë e cila konsiderohet si më e madhja në Afrikën Perëndimore, mund të falen gjithsej 30 mijë persona prej të cilëve 10 mijë në pjesën e brendshme të praruar me ar të strukturës dhe 20 mijë në zonën e shtruar me mermer.
Xhamia ka minaren më të lartë në Senegal, me gjatësi prej 78 metrash mbi të cilën ndodhet një orë. Struktura ka 5 minare, 9 kupola, njëra prej të cilave ngjan me Kupolën e Shkëmbit në Kuds dhe 4 faltore (mesxhide).