“Perëndimi, faktor destabilizues”, Putin në BRICS: Duhet të reformohet OKB-ja

Liderët e grupimit BRICS pozuan për foton e përbashkët në mbyllje të samitit të pritur nga presidenti rus Vladimir Putin në qytetin Kazan.
Konferenca treditore u ndoq nga përfaqësuesit e 36 vendeve, si dhe nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Ajo trajtoi thellimin e bashkëpunimit ekonomik, përfshirë zhvillimin e alternativave ndaj sistemeve perëndimore të pagesave, si dhe sheshimin e konflikteve rajonale dhe zgjerimin e grupit me anëtarë të rinj.
Në fjalimin e mbajtur në sesionin plenar të së enjtes, Putin e vuri theksin tek vizioni i përbashkët për një rend të ri demokratik global, si dhe fajësoi sanksionet e Perëndimit për destabilitetin rajonal, përfshirë atë në Ukrainë.
“Një shembull për këtë është Ukraina, që është përdorur dhe po përdoret për të krijuar kërcënime ndaj sigurisë së Rusisë, duke injoruar interesat tona jetike dhe shqetësimin tonë për shkeljen e të drejtave të popullit rusisht-folës. Ata nuk e fshehin as qëllimin për t’i shkaktuar një humbje strategjike vendit tonë”, tha Putin.
Më tej, kreu i Kremlinit propozoi reformimin e OKB-së duke zgjeruar përfaqësimin e vendeve të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine.