Për sot është paralajmëruar ndërprerje e qarkullimit të mallrave në pikat kufitare, MPB garanton qarkullim të papenguar për automjetet dhe autobusët

Sot paralajmërohet ndërprerje e qarkullimit të mallrave në pikat kufitare, MPB garanton qarkullim të papenguar për automjetet dhe autobusët
Ministria e Punëve të Brendshme – Sektori për Çështje Kufitare dhe Migrim njofton opinionin publik se është informuar për mbajtjen e një proteste publike nga ana e asociacionit “Makam-trans”, e cila pritet të nisë sot (26.01.2026) nga ora 12:00.
Sipas njoftimit të dorëzuar, protesta është planifikuar të zhvillohet në këto pika kufitare: Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafasan, Bllacë dhe Bllatë.
Protesta do të realizohet përmes kufizimit të qarkullimit të automjeteve të transportit të mallrave, përkatësisht me mbylljen e korsive dhe terminaleve të dedikuara për qarkullim mallrash, ndërsa qarkullimi i automjeteve të pasagjerëve do të zhvillohet pa pengesa në të gjitha pikat kufitare.
Sipas organizatorëve, protesta është paraparë të zgjasë deri në shtatë ditë, me mundësi që të ndërpritet edhe më herët, nëse gjatë kësaj periudhe tejkalohen arsyet për të cilat është organizuar.
Ministria e Punëve të Brendshme, në përputhje me kompetencat ligjore, do të ndërmarrë masa dhe aktivitete për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për sigurimin e një qarkullimi të sigurt dhe të papenguar, me theks të veçantë në lëvizjen e automjeteve të pasagjerëve, autobusëve dhe mjeteve që transportojnë barna, bagëti të gjalla, materiale të rrezikshme dhe dërgesa prioritare.
MPB u bën thirrje qytetarëve dhe transportuesve që të informohen me kohë për gjendjen në pikat kufitare, të ndjekin komunikimet zyrtare dhe, nëse është e nevojshme, të shfrytëzojnë pika kufitare alternative.



