Për shkak të abuzimeve – balancuesi shkon në histori

Balancuesi do të hiqet për shkak të abuzimeve. Në Ministrinë e Administratës Publike nga numri i përgjithshëm i administratorëve të punësuar, 43 për qind janë nga bashkësitë etnike dhe kjo është subjekt i rishikimit, njoftoi ministri i Administratës Publike Goran Minçev.

“Balancuesi ka qenë subjekt i abuzimeve në të kaluarën. Kemi pasur raste kur maqedonasit etnik shkruheshin shqiptarë dhe ku shqiptarët etnikë shkruheshin maqedonas. Kemi pasur edhe raste kur pjesëtarët e bashkësive tjera etnike janë shkruar si maqedonas. Mund ta konkretizoj me rastin aktual, sipas sistematizimit të ri dhe numrit të të punësuarve në administratë, ku nga numri i përgjithshëm i të punësuarve që i takojnë administratës publike, 43 për qind janë nga komunitetet etnike”, thotë Minçev.

Dobësitë e balancuesit

Mjeti, i cili u prezantua në vitin 2016 për të ndihmuar në sigurimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të komuniteteve etnike në punësim në administratë, vitet e fundit shpesh ka qenë cak i kritikave dhe indikacioneve se po keqpërdoret.

Shfuqizimi i balancuesit është një nga premtimet e VMRO-DPMNE-së, i cili është gjetur edhe në programin e tyre partiak “Platforma 1198”. Kryeministri Hristijan Mickoski së fundi gjatë vizitës së tij në Tetovë deklaroi se Bashkimi Evropian është ai që rekomandon heqjen e mjetit që përcakton punësimin e nëpunësve civilë sipas përkatësisë etnike. Ai përkujtoi se rekomandimi i BE-së është pasojë e procesit të shqyrtimit që tashmë është bërë.

“Dhe nëse thonë se duhet shfuqizuar, atëherë çfarë na mbetet? Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të punojmë sipas rekomandimeve që vijnë nga vetë BE-ja. Është rezultat i procesit të shqyrtimit”, tha Mickoski, duke shtuar se vendi duhet të përparojë sipas kompetencave, jo sipas gjinisë, përkatësisë etnike apo fetare.

Përpunimi i ligjeve për administratën

Ministria e Administratës Publike ka filluar procedurën për tërheqjen e projektligjeve për nëpunësit administrativë, për të punësuarit në sektorin publik dhe për ngritjen profesionale dhe trajnimin e zyrtarëve administrativë. Qëllimi është të prodhohen zgjidhje më cilësore.

Minçev, në një konferencë për media, paralajmëroi debat të gjerë publik për ligjet dhe shprehu shpresën se ato do të miratohen dhe do të hyjnë në fuqi nga janari i vitit 2025. Me zgjidhjet e reja ligjore, për herë të parë do të krijohet një agjenci për zhvillim profesional dhe trajnim të administratorëve, por ende po mendohet nëse ky organ do të jetë pjesë e Ministrisë së Administratës Publike apo e Qeverisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button