Për planin serb të Bujar Osmanit – Reagon Gashi: Bujari emrin e ka shqip, por veprimet serbisht

Për planin 9 pikësh të Bujar Osmani për Kosovën, ka reaguar edhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Ai thotë se në bazë të këtij planit, është dashur që shqiptarët të largohen dhe të futen serbët.
“Plani i Bujarit për Veriun e Kosovës, paska qenë që të largohen shqiptarët dhe të futen serbët. Emrin e ka shqip, por veprimet i ka serbisht.
Mos besoni zëdhënësin e Ali Ahmetit, por lexoni zëdhënësin e Albin Kurtit”, ka shkruar Afrim Gashi.
Kujtojmë se zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ka reaguar ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, lidhur me planin që OSBE e kishte hartuar për sh’tensionimin e situatës në veri.
“Dje e kuptuam që plani 9 pikësh i OSBE-së, qenka hartuar nga vetë z. Bujar Osmani. Një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Në fund, ky plan, nuk u bë plan i qeverisë. Deeskalimi ndodhi. Pa e dëmtuar sovranitetin e pa rrezikuar sigurinë. Në katër komunat në veri ka më shumë normalitet se kurdoherë tjetër. Sa herë që ka patur tensione, ato janë shkaktuar nga struktura e organizime kriminale. Dorëheqje të kryetarëve nuk ka”, tha në reagimin e tij Përparim Kryeziu.